Arratisen nga Dubrava dy të burgosur

Tre të burgosur, të cilët po vuanin dënimin në Burgun e Dubravës, janë arratisur, të martën pasdite, derisa gjendeshin në pavijonin gjysmë të hapur. Haxhë Krasniqi dhe Gazmend Mujaj ndodhen ende në arrati, kurse Nexhdet Ramaj, është kthyer vullnetarisht.

Stafi i Burgut të Dubravës e ka njoftuar policinë rreth orës 02:20 se tre persona të burgosur ishin larguar nga pavijoni gjysmë i hapur.

Oficerët korrektues kanë njoftuar se gjatë numërimit të burgosurve kanë vërejtur se mungojnë tre te burgosur.

I arratisuri Gazmend (Selim) Mujaj, i lindur më 25 mars 1981, në fshatin Jabllanicë e Vogël e Pejës, që nga 1 marsi i këtij viti ishte në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës, pasi që ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut e Pejë në kohëzgjatje prej 1 vit e 8 muaj burg për veprën penale dhunim seksual, nga neni 230, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës (KPK), ka bërë të ditur policia rajonale e Pejës, nëpërmes një njoftimi shtypi.

Kurse Haxhë (Mustafë) Krasniqi, i lindur më 13 maj 1984 në fshatin Kpuzë të Klinë, ndodhej nga 18 tetori i sivjetmë në vuajtje të dënimit. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë me një vit burgim për veprën penale dhunim seksual, nga neni 230, paragrafi 1 i KPK-së.

Ndërsa i ikuri Nexhdet Ramaj, i dënuar për terrorizëm dhe mbajtje peng, nga fshati Uqë e Istogut vullnetarisht është kthyer nga largimi dhe është veçuar në dhomë. Ndaj tij, thuhet se po vazhdojnë hetimet.

“Këta persona të dënuar janë larguar nga Burgu i Dubravës në drejtim të panjohur. Andaj nëse hasen, ata duhet të ndalohen dhe të dërgohen në burgun e Dubravës për ta vazhduar pjesën e mbetur të dënimit. Për të njëjtit, drejtori i Burgut të Dubravës ka lëshuar edhe letërreshtim”, ka njoftuar zëdhënësi i policisë në Pejë, Xhevat Ibra./JNK

Artikulli paraprakShkëmbime akademike Kosovë Gjermani
Artikulli vijuesPakistani liron nje grup te krerëve talebanë