Përballja brutale e Britanisë me realitetin

Nëntë muaj të trazuar pasuan pasi britanikët vendosën që të linin Bashkimin Europian, por vetëm përpara disa ditësh nisi procesi i vërtetë Brexit.

Dërgimi më 29 mars, i letrës së Kryeministres Theresa May për Këshillin Europian, ku përfshihej Neni 50 i Traktatit të BE-së, shënoi pikën në të cilën tërheqja e Britanisë nga Bashkimi bëhet e pashmangshme.

Për gjysmën e popullsisë së vendit, ky ishte një moment për të festuar ndërsa për gjysmën tjetër, ai shënoi një ditë të zymtë. E ardhmja e të dyja kampeve, dhe e vetë BE-së tani varej nga lëvizja e radhës e znj. May. Është e sigurt që negociatat do të jenë të vështira. Koha është shumë e shkurtër duke qenë se kohëzgjatja e Nenit 50 është vetëm dy vjet, shkruan The Economist.

Shkëputja e Britanisë nga anëtarësia e klubit është shumë komplekse. Asnjëra nga të dyja palët nuk është e përgatitur ashtu siç duhet.

Në Britani, ku Brexit ngjan kryesisht me një nismë të bazuar në besim, votuesve u janë prezantuar disa prej pritshmërive të mundshme, përpara se kjo utopi të ndodhë.

Përballja e tyre e parë me realitetin e humbjes së aksesit preferencial në tregun e përbashkët do të jetë traumatike. Nëse znj. May nuk do të arrijë t’i bindë mbështetësit e Brexit se ata duhet të pranojnë lëshimet, Britania mund të përfundojë duke dalë nga BE-ja, pa nënshkruar asnjë marrëveshje me të.

Në kërkim të telasheve

Afati është edhe më i shkurtër seç mund të duket. Palët mund të kalojnë javë të tëra, duke diskutuar mbi procesin.

BE-ja dëshiron të rregullojë kushtet e Nenit 50 të divorcit, që mbulon çështje të tilla si të drejtat e qytetarëve rezidentë në vende të tjera dhe faturën shumë miliarda euro të largimit të Britanisë nga BE-ja, përpara se të fillojnë diskutimet në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes së ardhshme tregtare.

Znj. May dëshiron të mbyllë çdo negociatë në një herë të vetme. Por asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet pa përfunduar zgjedhjet në Gjermani, të cilat do të zhvillohen këtë shtator. Ratifikimi i marrëveshjes kërkon gjashtë muaj kohë, gjë kjo që ua shkurton edhe më shumë kohën bisedimeve, duke u lënë atyre më pak se një vit.

Prioriteti i znj. May është përmbushja e premtimit kryesor gjatë fushatës së largimit nga BE-ja “Rimarrja e kontrollit” duke i dhënë fund lëvizjes së lirë të qytetarëve të BE-së në Britani dhe juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Ajo e ka pranuar se një lëvizje e tillë do të thotë largim nga tregu i përbashkët europian. Por ky largim, do të jetë një lëvizje e gabuar.

Edhe në qoftë se ajo e merr kontrollin mbi çështjen e emigracionit, Britania nuk do të jetë në gjendje ta kalojë këtë situatë pa shkaktuar dëme në ekonominë e saj, gjë të cilën edhe pse me shumë vonesë po e kuptojnë dhe po bien dakord pjesa më e madhe e ministrave. Edhe qeveria bën shumë gabim teksa pretendon se do të vazhdojnë të ekzistojnë disa marrëdhënie me tregun e përbashkët, të cilat kanë të gjitha përfitimet e anëtarësimit por kundrejt asnjë kostoje.

Është e vërtetë se shumica e britanikëve e mbështetin Brexit për të ulur numrin e madh të emigrantëve dhe të rifitojnë sovranitetin e munguar, por asnjë prej tyre nuk votoi që të varfëroheshin, ashtu siç realisht do të ndodhë nga “Brexit i vështirë” i znj. May.

Qeveria e saj ka qenë e karakterizuar nga një kthesë e fortë në formë U-je, dhe dërgimi i letrës gjatë kësaj jave ishte ai i duhuri në krahasim me shumë prej deklaratave të saj të mëparshme.

Edhe pse në një situatë të tillë, me presionin e të gjithë shtypit euroskeptik mbi vete, Kryeministrja nuk ka gjasa të ndryshojë drejtim. Ajo përveçse është duke bërë zgjedhjet e gabuara, po zhvlerëson edhe rëndësinë e marrëveshjeve. Duke premtuar një akses pa pengesa në tregun e vetëm ndërkohë që nga ana tjetër po ndalon hyrjen e emigrantëve në Britani dhe po mundohet t’i japë fund juridiksionit të Këshillit të Europës, ajo po u thotë të gjithë britanikëve se secili prej tyre ka të drejtë të marrë dhe të hajë pjesën e tortës që i takon.

Edhe pse ajo pranon se eksportuesit në BE do të duhet t’u binden rregullave të BE-së, sa më shumë që znj. May të insistojë në kontrollin e çështjes së emigracionit dhe heqjen e juridiksionit të KE-së, aq më pak pengesa do të ketë Britania në aksesin e saj në tregun e përbashkët.

Kjo nuk ka lidhje vetëm me faktin se lëvizja e lirë e qytetarëve është një kusht për BE-në, as me faktin se sigurimi i tregtisë së mallrave pa taksa në tregun e përbashkët, do të jetë shumë i vështirë. Kjo ka lidhje me faktin se pengesat më të mëdha të tregut të vetëm nuk janë tarifat apo kontrollet doganore por barrierat jotarifore të tilla si standardet e kërkuara, rregulloret dhe rregullat për ndihmat e shtetit.

Deri në momentin që Britania t’i pranojë këto kushte, që caktojnë njëkohësisht edhe rolin e saj në sistemin e juridiksionit të Këshillit të Europës, ajo nuk mund të operojë lirisht në tregun e vetëm, e njëjta gjë që ka ndodhur edhe me firmat amerikane të cilat tregtojnë me BE-në.

Me shpatulla pas murit

Pretendimi më i rrezikshëm i znj. May ka qenë se më mirë të mos nënshkruhet asnjë marrëveshje sesa të nënshkruhet një marrëveshje e keqe. Por dërgimi i letrës së saj gjatë fundit të marsit është një hap mbrapa në lidhje me këtë nocion.

Rivendosja e tregtisë me BE-në, vetëm sipas termave dhe rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, do t’i shkaktonte ekonomisë së Britanisë një dëm shumë të madh. Kjo nënkupton tarifat e vendosura nga BE-ja dhe plus këtyre edhe një set i plotë me barriera jotarifore mbi pothuajse gjysmën e eksporteve britanike. Asnjë shtet i madh nuk tregton me BE-në vetëm sipas termave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Një ndarje pa mirëkuptim do ta vështirësojë edhe më shumë bashkëpunimin në fusha të tilla si politika e jashtme dhe ajo e mbrojtjes. Kjo do të rrisë edhe më shumë rrezikun e shkëputjes së Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar.

Znj. May i duhet jo vetëm ta zbusë edhe më shumë tonin e saj, sikundër ajo e tregoi së fundmi, por mbi të gjitha i duhet që të ulë pritshmëritë.

Në vend të kërcënimeve të saj të shpeshta për të goditur partnerët europianë duke ndjekur modelin e ndarjes së Singaporit nga Malajzia (diçka që përveç tregtisë së lirë do të tmerronte pjesën më të madhe të votuesve të Brexit) apo të lërë të nënkuptohet se BE-ja ka më shumë nevojë për Britaninë sesa për asnjë shtet tjetër, ajo duhet të kuptojë se në këto negociata, është nga ana e më të dobëtëve.

Ajo duhet të tregohet më fleksibël në lidhje me pagesat në buxhetin e BE-së, një çështje në të cilën ajo nuk ishte ndaluar pothuajse fare në letrën që i dërgoi BE-së.

Duke qenë se përmbylljes së negociatave për një marrëveshje të tregut të lirë i duhet më shumë se një afat dyvjeçar, duke i shtuar kësaj edhe faktin se asnjë shtet tjetër nuk ka përmbyllur asnjë marrëveshje me BE-në në një kohë kaq të shkurtër, znj. May i duhet të pranojë një tjetër skenar: marrëveshjet tranzitore në mars të 2019 do të jenë të nevojshme për të shmangur “rënien nga maja”.

Në letrën e saj trajtohen në mënyrë evazive “periudhat e zbatimit”, por ajo nuk fokusohet fare mbi vështirësinë që do t’i duhet secilës prej tyre për t’u zgjidhur.

Kalimi i duhur mund të kërkojë zgjatje të procesit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të juridiksionit të KE-së, por një çmim i tillë do t’ia vlente të paguhej.

Toni më i butë i përdorur në letrën e znj. May, së bashku me pak fat, mund t’i bindë partnerët europianë që të tregohen më mikpritës.

Në njëfarë mënyre, deri më tani, ata kanë reaguar ndaj kërcënimeve të Londrës në një formë shumë të qetë, por duke treguar përparësi ndaj faturës dalëse që duhet të paguajë Britania, duke këmbëngulur se ajo do të jetë shumë më keq pasi të largohet nga BE-ja dhe do të jetë gjithmonë në kërkim të marrëveshjeve për bashkëpunim në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë.

Ekziston një mundësi për realizimin e një marrëveshjeje midis Britanisë dhe BE-së, e cila do të minimizojë dëmin e Brexit. Për fat të keq, në një marrëveshje kundër kohës (afateve), ekziston rreziku i lartë që në vend që dëmi i Brexit të zvogëlohet, ai mund të rritet.

Artikulli paraprakLeukemia – Kanceri i Gjakut; Llojet, Simptomat, Shkaqet, Trajtimi Natyral, Kura Bimore
Artikulli vijuesGrupet e financuara nga Soros padisin Trump për vizitorët në Shtëpinë e Bardhë