Si pasojë e rënies në një greminë të një autobusi udhëtarësh në jug-lindje të Brazilit kanë humbur jetën 15 persona, raporton AA.
Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu se autobusi me 81 udhëtarë ku shumica e tyre turistë të cilët po udhëtonin nga qyteti Paraty për në Trindade është rrokullisur 50 metra në greminë dhe si pasojë janë plagosur edhe 66 persona të tjerë.
Gjithashtu theksohet se gjendja e disa prej të plagosurve është e rëndë dhe se ka dyshime se numri i të vdekurve mund të rritet, ndërsa mësohet se rruga e bregdetit pas aksidentit është mbyllur.
Dyshohet se aksidenti mund të ketë ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit nga shoferi.
Autoritetet kanë theksuar më tej se ende nuk dinë arsyen se pse një autobus me kapacitet 45 udhëtarë ka transportuar 81 persona, dhe në lidhje me ngjarjen kanë nisur një hetim.
Brazili është një prej vendeve me numrin e aksidenteve me të madh në botë, ku në vitin 2013 mbi 40 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve. Gjithashtu edhe në një aksident të ndodhur në muajin mars ku si pasojë e rënies në greminë të një autobusi në Santa Catarina kanë humbur jetën 51 persona.