Avokati i Popullit flet për presione nga pushteti

Sfidat e institucionit të Avokatit të Popullit, të nxjerra edhe nga Raporti i Progresit, që kërkojnë përmirësim në një afat të shkurtër, për vetë Avokatin e Popullit vështirë se mund të përmirësohen, raporton KTV-ja.
Sami Kurteshi thotë se ka pasur përpjekje për ndikim në këtë institucion. Pavarësia financiare dhe sigurimi i hapësirave të mjaftueshme për këtë institucion janë dy prej çështjeve, për të cilat kërkohet përmirësim i shpejtë.

Institucioni i pavarur, Avokati i Popullit, ende përballet me probleme për funksionim normal.

Zyrat në ndërtesën private katërkatëshe nuk janë të përshtatshme as për pranimin e palëve që vijnë në këtë institucion për t’u ankuar.

Përveç hapësirave, ky institucion, sipas drejtuesit të saj, e ka të kërcënuar edhe pavarësinë e tij.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, thotë se ka pasur tentime për të ushtruar ndikime në institucionin që do të duhej të ishte i pavarur.

Arritja e pavarësisë financiare e këtij institucioni është një prej pikave që është përmendur në 4 prioritetet, më saktë atë për Administratën Publike, që duhet përmbushur para fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asoocimit.

Kurteshi thotë se janë në pritje të një përgjigjeje nga Gjykata Kushtetuese për interpretimin e ligjit, për atë se kujt duhet dorëzuar draft-buxhetin, derisa ka pranuar se edhe Ligji për Avokatin e Popullit ka mangësi.

Gjatë vitit të kaluar Ministria e Financave, pa paralajmërim, kishte tërhequr 13 mijë euro nga fondet e Avokatit të Popullit, që për Kurteshin paraqet një veprim kundërligjor.

Studimi i Fizibilitetit vlerësonte se Kosova duhet përmbushur edhe 4 prioritete afatshkurtra, në fushat e sundimit të ligjit, administratës publike dhe mbrojtje të të drejtave të pakicave dhe kapaciteteve tregtare.

Në administratë publike, për ombudspersonin kërkohet ndarja e objektit dhe sigurimi i pavarësisë buxhetore, duke obliguar qeverinë që të përfshijë draft propozimin buxhetor në draftpropozimin e përgjithshëm të buxhetit pa ndonjë ndryshim. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakGrevistët: Të reagojë edhe feja
Artikulli vijuesTë mërkurën Kuvendi debaton për shpenzimet e Qeverisë