BBC zbulon “misterin”: Ja përse në sulmet mbi Halep viktimat më të shumta janë fëmijë…

Tragjedia siriane, e veçanërisht ajo çfarë po ndodh në Halep, ka më së shumti një fytyrë fëminore, në kuptimin më dramatik të fjalës. Rrallë ka ndodhur nën një konflikt botëror që panorama e dhimbshme e asaj çfarë ndodh, të përfaqsohet nga trupa fëmijësh të vdekur, e të gjallë të përgjakur nën ankth. BBC me anë të një reportazhi, është rrekur t’i japë një shpjegim këtij fenomeni, i cili e bën konfliktin e Sirisë edhe më tragjik…

Sulmet qeveritare siriane nga ajri së fundmi kanë goditur zonat e kontrolluara nga kryengritësit e Halepit, ku më shumë se 250,000 banorë janë të bllokuar.

Përfaqësuesi i përhershëm i Britanisë në OKB ka thënë se sulmet kanë krijuar një ferr të ri në Halep, të cilin ai e përshkroi si “krime lufte”.

Sipas vlerësimit të agjencive humanitare, në zonën e konfliktit janë të bllokuar edhe 100,000 fëmijë.

Të dielën, Save the Children ka paralajmëruar se rreth gjysma e viktimave në Halepin lindor janë fëmijë.

Sipas informatave të tyre, edhe fëmijët e lënduar po vdesin për shkak të mungesës së pajisjeve dhe të ilaçeve.

 

“Në zonën e konfliktit, gjërat kurrë nuk kanë qenë më keq për fëmijët sirianë sesa tani”, tha zëdhënësi për emergjenca humanitare, Caroline Anning për rrjetin BBC.

Raëan, qytetare siriane ka humbur gjithë familjen e saj, përfshirë motra dhe vëllezër, raporton Sky News.

Por përse janë të prekur fëmijët në masë kaq të madhe në betejën për Halepin?

Numrat

Popullata e Sirisë, sikurse edhe në vendet tjera në rajon, është relativisht e re, me moshë mesatare 24 vjeç.

Rreth gjysma e pesë milion refugjatëve të cilët kanë ikur nga lufta në Siri janë fëmijë. Por, tetë milion sosh mbeten në vendin e shkatërruar nga lufta, sipas organizatës UNICEF.

Në Halepin lindor, Save the Children vlerëson se afro 40% e popullatës së rrethuar janë fëmijë.

Në luftë, është e pritshme që numri i viktimave në vijën e parë të frontit të luftës të jenë meshkuj të moshës së rritur, thotë Anning.

“Por ajo çfarë po shohim në Halep në dy ditët e fundit, është se bombardimi nga ajri krejtësisht pa dallim”, thotë ajo. “Andaj, në këso situatash fëmijët janë të prekuar po aq, apo madje edhe më tepër sesa të rriturit”.

Këto taktika, të kombinuara me një rrethim të vazhdueshëm, duke penguar largimin e njerëzve nga zona, ka krijuar një prej situatave më të rënda për fëmijët sirianë përgjatë pesë viteve sa po zgjat konflikti.

Konteksti

Kur bombat bijnë në zonat me popullsi të dendur urbane si Halepi lindor, nuk ka mundësi shpëtimi.

Dhe në thelb në rrethana si këto, fëmijët janë më të prekurit.

“Ata shpesh dëshirojnë që të luajnë përjashta, lëvizjet e tyre janë më pak të parashikueshme, dhe ata nuk mund të ikin në mënyrë instinktive nga rreziku”, thotë Hannah Stoddard, nga organizata bamirëse War Child.

Kjo komplikohet edhe me vetë faktin se shkollat dhe spitalet, ku fëmijët ka gjasa më të mëdha të jenë të pranishëm, të jenë më të shënjestruar nga qeveria siriane.

Në anën tjetër, kur bie fjala për lëndimet, fëmijët janë më të ekspozuar ndaj rrezikut. Humbjet e gjakut janë më shkatërruese, kurse frakturat ndodhin më lehtë.

Impakti

Imazhet e Alan Kurdi, Omran Daqneesh dhe së fundmi Rawan Alows mund të kenë kapur në mënyrë të rrufeshme vëmendjen globale, por kjo kurrësesi nuk do të thotë se këto janë raste të jashtëzakonshme.

Ekipet e shpëtimit po gjejnë fëmijë çdo ditë nën grumbujt e rrënojave.

“Ajo çfarë nuk prezantojnë fotografitë nëpër media, janë plagët shpirtërore që këta fëmijë bartin në vete”, thotë Stoddard nga War Child, e cila punon me refugjatët sirianë në Jordan.

“Në shumicën e rasteve, këta fëmijë kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes. Ata mund të jenë të mbijetuarit e vetëm”.

Zgjidhja

Një armëpushim i menjëhershëm është një parakusht për çdo zgjidhje që mund t’i japë fund vuajtjeve të fëmijëve të Halepit, thonë grupet humanitare.

Duke pasur parasysh dështimin e armëpushimit të arritur mes SHBA dhe Rusisë javën e kaluar, gjasat për këtë duken të vogla.

“Megjithatë, në qoftë se një armëpushim do të ndodhë, qasja e vazhdueshme humanitare në të gjitha zonat e rrethuara mund të jetë e mundur”, thotë Anning.

“Grupet duhet të jenë në gjendje që të lëvizin lirshëm në çdo situatë të nevojshme pa parakushte, për të mundësuar evakuimin e viktimave në zonë”, shton ai. /Tesheshi.

Artikulli paraprakProtesta e dhjetë kundër korrupsionit
Artikulli vijuesPse nuk duhet t’i vendosësh kapak furçës së dhëmbëve?