Hahn theksoi se kriza e refugjatëve dhe emigrantëve tregoi se si Maqedonia dhe i tërë Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes së madhe evropiane
Komisioneri evropian për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili prej dje qëndron në vizitë në Republikën e Maqedonisë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dorëzoi certifikata për dhurimin e 33 automjeteve të terrenit për ballafaqimin e vendit me krizën e migrimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Prej 33 automjeteve që kapin vlerën rreth 800 mijë euro, 31 dedikohen për nevojat e policisë kufitare, ndërsa dy automjete janë për nevojat e Qendrës për Menaxhim me Kriza. Sipas Delegacionit të BE-së në Shkup, automjetet do t’u mundësojnë institucioneve kombëtare t’i rrisin angazhimet e tyre në menaxhimin e emigrimit dhe në luftën me kontrabandimin e emigrantëve dhe krimit ndërkufitar.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha se ky donacion do të përforcojë kapacitetet teknike të policisë kufitare sipas standardeve profesionale bashkëkohore, si dhe shtoi se do të ndihmojnë në tejkalimin e sfidave kundër kërcënimeve ndërkombëtare, veçanërisht me krizën e migrimit.
“Kjo ndihmë paraqet edhe një mirënjohje nga ana e Bashkimit Evropian për kontributin e deritanishëm dhe menaxhimin e suksesshëm me krizën e migrimit”, u shpreh Nuhiu, duke shtuar se kjo ndihmë e BE-së për Maqedoninë është shumë e rëndësishme.
Ndërkaq, Johannes Hahn deklaroi se ky donacion paraqet një shenjë të fortë të bashkëpunimit të afërt mes familjes së BE-së dhe Maqedonisë në ballafaqimin me krizën e refugjatëve dhe emigrantëve, krizë e cila siç tha ai, Evropa është duke u ballafaquar në kohën moderne.
“Përmasat e kësaj sfide me të cilën ballafaqohet jo vetëm Evropa, por e mbarë bota janë të pashpjegueshme. Arsyet janë komplekse dhe nuk ekziston shërim. Kjo kërkon ndihmë për këta njerëz që kërkojnë mbështetje, ndërkohë kërkon mbështetje për vendet që janë duke luftuar për t’u përballur me këtë krizë, megjithëse në pajtim të plotë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, deklaroi Hahn.
Hahn theksoi se kriza e refugjatëve dhe emigrantëve tregoi se si Maqedonia dhe i tërë Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes së madhe evropiane, ndërsa bashkëpunimi i afërt ka dëshmuar se sa pozitive është të punojmë së bashku për të adresuar sfidat tona të përbashkëta.
Automjetet e prodhimit japonez janë dhuruar përmes fondit të Bashkimit Evropian (BE), qëllimi i së cilit është mbështetja e institucioneve qeveritare në nivel kombëtar dhe lokal.
– BE do të bëjë gjithçka për të ndihmuar Maqedoninë
Eurokomisari Johannes Hahn, pas ceremonisë së donacionit të automjeteve të Bashkimit Evropian (BE) për ballafaqimin me krizën, deklaroi se “ka besim dhe është optimist për një të ardhme të mirë të vendit”.