Konsumimi i duhanit në çdo gjashtë sekonda merr një jetë

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) flasin se në vitin 2030 numri i të vdekurve nga pirja e duhanit mund të shkojë në tetë milionë, nëse vazhdon ky trend i konsumimit të duhanit

Komplikimet shëndetësore të cilat shkaktohen nga pirja e duhanit, respektivisht nga konsumimi i produkteve të tij, në çdo gjashtë sekonda marrin një jetë, për çka në nivel botëror në vit vdesin gjashtë milionë persona, shkruan Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) flasin se në vitin 2030 numri i të vdekurve nga pirja e duhanit mund të shkojë në tetë milionë, nëse vazhdon ky trend i konsumimit të duhanit.

Supozohet se në botë ka 1.1 miliardë duhanpirës të moshës mbi 15-vjeçare, nga të cilët rreth 80 për qind jetojnë në shtetet më pak të zhvilluara ekonomikisht.

Raporti i Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) për vitin 2015 jep të dhënat se në Greqi 39 për qind e njerëzve konsumojnë duhanin, që është përqindja më e madhe në botë. Vijon Indonezia me 38 dhe Letonia me 34 për qind.

Në mesin e dhjetë vendeve me përqindje të lartë janë Kili, me 30 për qind, Hungaria me 27 për qind, Estonia dhe Kina me 26 për qind dhe Rusia, Franca dhe Spanja me 24 për qind, ndërsa në pozitën e 11 është Turqia me 23.8 për qind, numri i të cilëve në vitin 2000 ka qenë 32 për qind e popullsisë së përgjithshme turke.

Sipas përllogaritjeve, konsumi i duhanit i shkakton ekonomisë botërore një shpenzim prej një trilion dollarë në vit.

Shumë vende të botës përdorin forma të ndryshme për të luftuar pirjen e duhanit, disa kanë bërë ndalesa të pirjes në vende publike, heqin logon dhe markën e prodhuesit të cigareve nga paketimi, ndërsa mbi paketat e cigareve vendosin paralajmërime në lidhje me rreziqet e pirjes së duhanit.

Paketimin universal të cigareve për herë të parë e ka zbatuar Australia në vitin 2012, ndërsa katër vjet më vonë edhe Franca, Britania e Madhe dhe Irlanda.

Raporti i Komisionit Evropian flet se në Evropë si pasojë e konsumimit të duhanit vdesin deri më 700.000 njerëz dhe se për shërimin e sëmundjeve të shkaktuara nga konsumimi i produkteve të duhanit shpenzohen rreth 25.3 miliardë euro.

Në vitin 2008, WHO inicioi masa të përbëra nga gjashtë hapa konkret të cilat i quajti “MPOWER”. Pakoja e masave përbëhet nga analiza, mbrojtja nga tymi i duhanit, inkurajimi i qytetarëve për të lënë cigaret duke paralajmëruar për efektet e dëmshme të produkteve të duhanit, si dhe të ndalojë promovimin, reklamat dhe sponsorizimin e produkteve të duhanit, si dhe rritjen e tatimeve.

Raporti për epideminë globale nga duhani, për vitin 2015 flet se nga shtetet të cilat zbatojnë rekomandimet e WHO-së për uljen e konsumimit të cigareve janë Brazili, Irani, Madagaskari, Zelanda e Re, Panama dhe Turqia.

Në Kinë, ku ka 300 milionë duhanpirës, nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani për çdo vit vdesin 1.3 milionë njerëz, flasin të dhënat e WHO-së.

Në vitin 2004 Irlanda u bë vendi i parë në Evropë që zbatoi një ndalim të pirjes së duhanit. Australia ndërkohë është shteti me cigaret më të shtrenjta në botë, ku çmimet ndryshojnë nga 17 dollarë australianë (rreth 12 euro) dhe 45 dollarë australianë (rreth 32 euro) për një pako.

Artikulli paraprakTurqi, hapet objekti i parë për deponimin e gazit natyror nën liqenin Tuz
Artikulli vijuesBE ndan donacion për Maqedoninë për menaxhimin e migrimit