BE pret marrëveshjen Prishtinë – Beograd deri të marten

E martja e ardhshme pritet të jetë vendimtare për arritjen e apo jo të marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të procesit të dialogut që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i gatshëm të rikthehet në tavolinën e bisedimeve për të finalizuar procesin me marrëveshje.

Përderisa pala serbe thotë se marrëveshja kornizë e ofruar nga shefja e diplomacisë evropiane është e një anshme dhe nuk i merr parasysh kërkesat e Beogradit.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se dialogu ka qenë i vështirë, por ka shprehur shpresën e tij se në fund do të arrihet marrëveshja. Në të kundërtën, ai tha se të gjithë do të dëmtohen.

“Dëshiroj të potencoj se arritja e marrëveshjes hapë një perspektivë të gjithanshme, një perspektivë që nuk do të mund të ndalet, që nuk do të mund të krijojë situata të tjera të ngrirjes së gjërave, por të lëvizjes progresive, lëvizjes përpara. Në rast të mosarritjes së marrëveshjes, nuk do të ketë fitues, të gjithë do të jemi të dëmtuar”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi edhe një herë përsëriti se pozicioni i Kosovës është në pajtueshmëri me parimet dhe qëndrimet e prezantuara edhe nga BE-ja.

Ai tha po ashtu se takimi i fundit i datës 2 prill, ishte maratonik dhe jo i lehtë. Përderisa në ditët e ardhshme, vijoi ai, procesi do të duhej të të rezultonte me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vendimet që do të merren ditëve të ardhshme nuk do të jenë të lehta për asnjë lider dhe institucione. Por, dua të shpresoj se do të lëvizim drejtë një vendimmarrje që i hap perspektivë qytetarëve tanë pa dallim etnik, një vendimi që do të ndryshojë jetën e njerëzve për të mirë”, ka thënë kryeministri.

Në anënn tjetër, Marko Gjuriq, këshilltar politik i presidentit të Serbisë, gjatë një vizite që po i bën pjesës veriore të Mitrovicës ka deklaruar për mediat serbe se dialogu po zhvillohet njëanshëm dhe se sipas tij, nuk po merren për bazë edhe kërkesat e palës serbe.

“Të marten paradite është afati të cilin përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian e ka caktuar dhe kur ajo pret nga ana e jonë që të dëgjoj deklarimin në lidhje me ofertën që na e ka bërë e cila nuk ndryshon me asgjë me ato tetë pikat që tashmë i kemi parë”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, Catherine Ashton sërish nuk ka ofruar kompetenca për serbët në fushën e gjyqësisë, policisë, nuk e ka paraparë mos pranininë e forcave të FSK-së në veri si dhe kërkesa të ngjashme që kanë të bëjnë me asociacionin e komunave serbe përmes së cilave Beogradi synon të krijoj edhe një pushtet autonom për serbët në veri.

Mirëpo, në lidhje me këto kërkesa të palës serbe, kryeministri i Kosovës edhe të premten ka përsëritur se asociacioni i komunave serbe do të jetë në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Kurse sistemi i drejtësisë dhe ai i policisë, sipas tij do të jenë unik me një zinxhirë komandues. Kurse ka kërkuar që me marrëveshjen eventuale të definohet qartë shpërbërja e të gjitha strukturave ilegale të Serbisë në veri.

Dialogu Prishtinë – Beograd po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe si synim ka normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Pas takimit të 2 prillit, ku palët nuk arritën marrëveshje, ndërmjetësuesi u ka lënë palëve të vendosin nëse mund të kthehen në fillim të javës tjetër në Bruksel për të arritur marrëveshjen apo jo.

Dallimet mes palëve janë të mëdha në lidhje me pozitën e komunitetit serb që jeton në Kosovë, sidomos atij në veri për të cilin Beogradi kërkon edhe një lloj autonomie, çka për Prishtinën mbetet kërkesë e papranueshme.kohaislame

Artikulli paraprakLavrov: Ultimatumet për çështjen e Kosovës janë të papranueshme
Artikulli vijuesFrancë, protesta kundër martesave gay