Eurokomesari Hahn dhe eurodeputetët Howitt, Kukan dhe Vajgl, lëshuan një deklaratë të përbashkët për zhvillimet e fundit në Maqedoni.
Eurokomesari Johanes Hahn, dhe anëtarët e Parlamentit Evropian Richard Howitt, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për zhvillimet e fundit në Maqedoni, ku shprehin keqardhje për anulimin e takimit të nesërm në Vjenë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në cilësi të Komisionerit të Bashkimit Evropian dhe ndërmjetësve të Parlamentit Evropian ndjejmë keqardhje për faktin se takimi i liderëve i planifikuar të mbahet më 22 prill në Vjenë nuk mund të mbahet. Takimi kishte për qëllim të ndihmojë vendin të gjejë një rrugë që shpie përpara drejt implementimit të marrëveshjes së Përzhinës, bashkë me nënshkruesit e saj”, thuhet në reagim.
Bashkësia ndërkombëtare vlerëson se çështjet e vazhdueshme që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në Shkup të cilat rrezikojnë këtë marrëveshje duhet të adresohen në mënyrë urgjente. Nga kjo, shqetësim të veçantë paraqet falja e fundit e presidentit Gjorge Ivanov si dhe masat e nevojshme që kërkohen për të përgatitur zgjedhje të besueshme të cilat do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare.
“Qëndrojmë fuqimisht të përkushtuar dhe në dispozicion të partive. Sidoqoftë, theksojmë se përgjegjësia për të garantuar progres demokratik i cili do të çojë drejt rrugës së integrimeve euroatlantike qëndron në vet partitë politike”, thuhet në reagim.
“Vazhdimisht kemi përsëritur se shmangia nga marrëveshja e Përzhinës do të bart pasoja serioze për shtetin. Ndjejmë keqardhje të thellë për hapat regresive të cilët akoma më shumë çojnë vendin larg nga aspiratat integruese në BE” kanë shkruar në letrën e tyre Hahn, Howitt, Vajgl dhe Kukan, sipas të cilëve në mungesë të përparimit të mëtejmë janë të detyruar për masa shtesë për të përmbushur kërkesat të cilat janë thënë qartë nga Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian dhe nga Parlamenti Evropian.
“Ne njohim deklaratat dhe veprimet e sektorit civil në vend dhe shprehim mbështetje të plotë për secilën përpjekje paqësore që sigurojnë pluralizëm dhe liri të shprehjes të cilat janë vlera në të gjitha demokracitë evropiane”, përfundon letra e Eurokomesarit Johanes Hahn, dhe anëtarëve të Parlamentit Evropian, Richard Howitt, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl.