Përfaqësuesit e kompanisë Beni Dona po pretendojnë se miu në kiflet e nxënësve të shkollës “Meto Bajrktari”, është skenar i përgatitur nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje.
Fadil Paqarada, zëvendës drejtor i prokurimit në këtë kompani thotë për Gazetë Fjala se akuzat e komunës nuk qëndrojnë pasi ekzistojnë dëshmi që kur është bërë pranim dorëzimi i mallit gjithçka ka qenë në rregull.
“Unë mund të ju konfirmoj se nuk është e vërtetë ajo çfarë akuzojnë zyrtarët e komunës pasi në secilin rast ne kur dërgojmë mallin është fletëdërgesa që nënshkruhet nga dërguesi dhe pranuesi. Nuk është evidentuar asnjë vërejtje dhe kush e ka montu atë mi është çështje tjetër”, thotë Paqarada.
Sipas tij, udhëheqja e tanishëm e komunës së Prishtinës ka kohë që po e sulmon këtë kompani për arsye politike.
“Ata pretendojnë se pronari i Beni Donës ka lidhje të afërt me ish kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafën”, thotë Paqarada.
Mirëpo ai paralajmëron se do të marrin masa ligjore kundër këtyre sulmeve dhe shantazheve, siç i quan Paqarada, edhe deklarimet e fundit të komunës së Prishtinës.
Gjatë ditës është publikuar një lajm se në shkollën “Meto Bajrktari”, është hasur një mi në njërën nga kiflet që kjo kompani ka shpërndarë në shkollë.
Menjëherë ka ftuar një konferencë mediesh nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, i cili ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka shkëputur kontratën për furnizim me kifle të kësaj kompanie dhe ka paralajmëruar padi ndaj drejtuesve të saj.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, nënkryetari i Komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu, ka thënë se rasti ka ndodhur të mërkurën, kur edhe janë bërë inspektimet në të gjitha njësit ku prodhon kifle kompania Beni Dona dhe njëra nga to është mbyllur.
Sejdiu ka thënë se nuk do të lejojnë të rrezikohet shëndeti publik dhe do të marrin masa ndaj të gjithë atyre që bëjnë këtë. /Gazeta Fjala