Berisha: Fond për biznesin social

Qeveria do të krijojë fondin e biznesit social si një mënyrë për t’u dhënë të varfërve mundësi të dalin nga varfëria nëpërmjet kreditimit të një aktiviteti privat.

Kryeministri Berisha tha se ky vendim i pritshëm bën pjesë në zbatimin e skemave të nobelistit Mohamed Jusuf, i cili fitoi çmimin Nobel për idetë e tij në uljen e varfërisë dhe papunësisë.

Sipas kryeministrit Berisha, në fondin e biznesit social, që do të financohet nga qeveria, edhe biznesi do të ketë mundësi pjesëmarrjeje. Kjo mundësi do të krijohet nga një ligj i ri, ku qeveria do të propozojë që taksën e dividentit, pra

Taksa më afër optimales është taksa e sheshtë. Nëpërmjet taksës progresive, ti vetëm sa në pamje të parë përpiqesh të arrish në një barazi, por në të vërtetë e thellon më shumë këtë pabarazi të fitimeve që u shpërndahen aksionerëve, biznesi ta derdhë menjëherë në fondin e biznesit social.

“E tha shumë bukur profesori, që bankat u japin atyre që kanë, kurse ky sistem u jep kredi atyre që s’kanë. Pra, vendimi i ardhshëm i yni për të kaluar taksën e dividentit tek sipërmarrjet që duan, se natyrisht ne nuk i imponojmë, në fondin e biznesit social është një hap tjetër shumë i rëndësishëm i yni për një shpërndarje më të mirë, sepse në fund të fundit e tërë problematika e taksës thjeshtohet në mbledhjen dhe shpërndarjen e saj. Ky ekuilibër përcakton përpjekjen tënde për mirëqënie, si shndërron ti këtë të ardhur më mirëqenie”, deklaroi Berisha.

Kryeministri u shfaq entuziast kur në mbledhjen e qeverisë prezantoi një studim të Universitetit të Harvardit, ku tre ndër ekonomistët më të njohur në botë sugjerojnë taksën e sheshtë dhe jo taksën progresive si rrugën më të mirë të kapërcimit të krizës ekonomike.

“Në studimin e tyre për taksën optimale, pasi tani nuk ka asgjë më të rëndësishme se të gjejmë cila është taksa optimale, dhe për ta, taksa më afër optimales është taksa e sheshtë. Së dyti, për kuriozitetin tuaj, për ata rëndësi kapitale ka heqja e taksës së makinerive, pra atë që bëmë ne tre muaj më parë”, nënvizoi Berisha.

Duke vënë në dukje rëndësinë që i jep studimi i Harvardit mënyrës sesi shpërndahen të ardhurat nga qeveria, kryeministri Berisha theksoi se edhe në këtë aspekt, qeveria e tij është në drejtimin e duhur, sipas analizës së grupit të Bostonit, që e rendit Shqipërinë të 4-ën në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike të vendit në mirëqënie për qytetarët e saj.

“Unë e kuptoj që kjo e irriton zotin Rama. E irriton shumë atë, por kjo është e vërteta dhe të vërtetat duhen pranuar. Ajo çka ky studim fakton është se një taksë është e rrezikshme dhe kjo është taksa “Koleka”, apo taksa progresive. Sipas studimit, nëpërmjet kësaj takse, ti vetëm sa në pamje të parë përpiqesh të arrish në një barazi, por në të vërtetë e thellon më shumë këtë pabarazi. Prandaj ky parim thotë duhet harruar”, shtoi Berisha.

Reagimi i Rames në Twitter

“Pardje ne SHBA u betua Presidenti qe mori voten per te ulur taksat e 95% te amerikaneve dhe bere qe kush fiton me shume te paguaje me shume. Sot Kryeministri ynë thote qe dhe Amerika e ka kapur qe taksa e sheshte eshte optimale kurse progresivja eshte dordolec!Kush eshte dordoleci mes tyre?”.

Beqja: Taksimi, kush fiton më shumë paguan më shumë

Deputeti Ilir Beqja i cilësoi si fjalë “rroma për toma” deklaratat e kryeministrit Berisha për taksën e sheshtë, e cila sipas kreut të qeverisë është optimalja. Në një deklaratë për shtyp, Beqja tha se taksa e sheshtë vetëm sa ka varfëruar shqiptarët dhe i mëshoi opsionit të taksës progresiste, sipas të cilës kush fiton më shumë paguan më shumë.

“Saliu iu kthye sot historisë së taksës së sheshtë. Ka disa javë që përpiqet të kapet si i mbyturi pas fijes barit nëpër raporte të ndryshme ndërkombëtare, që, për fat të keq, as nuk arrin t’i kuptojë apo ata që ia thonë ia thonë së prapthi. Prandaj vijon të flasë rroma për toma.

Ku jemi sot pas 5 vjetësh zbatim të taksës së sheshtë në Shqipëri? Rritja ekonomike, edhe sipas ministrit të Financave, është 5 herë më e ulët se sa kur u vendos taksa e sheshtë. Familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike janë disa mijëra më shumë se kur u vendos taksa e sheshtë.

Borxhi publik që rëndon mbi supet e çdo shqiptari është shtuar më shumë se 50 % edhe pse shumë pasuri publike u shitën për të mos u vënë kurrë në punë me efiçiencë. Konsumi i familjeve shqiptare, sipas burimeve zyrtare, në 9 muajt e 2012-ës është më i ulëti në 5 vitet e fundit. Kreditë me probleme kanë kaluar 23 % të portofolit të kredive dhe janë rreth 10% e GDP-së.

Ne nuk mund ta pranojmë këtë situatë, e vlerësojmë të padrejtë dhe jemi të vendosur ta ndryshojmë. Ne do të zëvendësojmë taksën e sheshtë me taksimin e ndershëm. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë taksa”, deklaroi Beqja.

Berisha me investitorët e huaj

Debati rreth taksave ishte në qendër të fjalës së kryeministrit Berisha, edhe gjatë konferencës së “Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipërisë”, të organizuar me rastin e fillimit të aktivitetit për vitin 2013.

“Sistemi i taksës së sheshtë është sistemi më i përshtatshëm i taksimit dhe jemi të kënaqur, që po e aplikojmë prej vitesh”, tha kryeministri. “Shqipëria është, gjithashtu, ndër të paktat vende, që ka hequr TVSH-në për makineritë që përdoren në prodhim, në të gjitha kategoritë e biznesit në vend”, theksoi kreu i qeverisë.

Ai vlerësoi punën e investitorëve të huaj në Shqipëri, duke deklaruar se projektet e tyre kanë kontribuar, që ekonomia shqiptare të mbetet jashtë recensionit dhe të ketë rritje të sigurt.

Kreu i qeverisë ftoi investitorët, që të nxisin bashkatdhetarët e tyre të sjellin investimet në Shqipëri, duke i garantuar se do të kenë mbështetjen e padiskutueshme të qeverisë./tch

Artikulli paraprakPse gjermanët i tremben avancimit të islamit në jetën gjermane?
Artikulli vijuesEdicioni i dhjetë i BarCamp Prishtina me 28 Janar