Radev dhe Yotova do të nisin detyrën zyrtarisht pas ceremonisë që do të mbahet më 22 janar para monumentit ushtari i panjohur në Sofje
Presidenti i zgjedhur në Bullgari, Rumen Radev dhe zëvendësja e tij Iliyana Yotova bënë betimin me një ceremoni të mbajtur në Parlament, raporton Anadolu Agency (AA).
Radev në një fjalim pas ceremonisë së betimit duke folur për reformën në drejtësi që vendi pret prej vitesh tha se “Të jesh bullgar nuk është fat, është krenari.”
Presidenti i ri i cili ka qenë ish-komandanti i Forcave Ajrore, është shprehur ndër të tjera se “Sistemi i drejtësisë në vendin tonë të lë përshtypjen e një procesi të rëndë që funksionon ngadalë. Rëndon më shumë perceptimi se mund të kryhet krim pa u ndëshkuar. Dhe kjo është arsyeja e vërtetë që shumë bullgarë ikin jashtë vendit.”
Politika e jashtme e Bullgarisë
Pasi ka folur për anëtarësimin e vendit të tij në BE dhe në NATO, Radev tha se “Politika e jashtme e Bullgarisë duhet të prodhohet brenda vendit, dhe të zbatohet jashtë vendit.”
Duke vënë në dukje se anëtarësimi në NATO dhe në BE është “një çështje strategjike”, Radev është shprehur se “Është e qartë kriza në qëndrimin në njërën anë mes BE-së dhe NATO-s dhe në anën tjetër kundër Rusisë. Por thellimi i polarizimit nuk do të japë një zgjidhje për krizën.”
Radev i cili është zgjedhur president si kandidat i Partisë Socialiste të Bullgarisë që është pro-ruse, gjatë fushatës zgjedhore ishte shprehur shumë herë se duhet të hiqeshin sanksionet kundër Rusisë.
Ndër të tjera duke theksuar se nuk ka qëllim të tejkalojë kompetencat si president, Radev tha se në të njëjtën kohë nuk do të lejoj pakësimin e kompetencave të tij ligjore.
Më tej ai ka shtuar se duhet të rimëkëmbet ushtria, duhet të rriten kontrollet kufitare, duhet të pengohen migrimet e paligjshme dhe të pakësohet numri i refugjatëve në vend.
Radev dhe Yotova do të nisin detyrën zyrtarisht pas ceremonisë që do të mbahet më 22 janar para monumentit ushtari i panjohur në Sofje.