Biznesi Shqipëri-Izrael

Fuqizimi marrëdhënieve të biznesit ishin në qendër të takimit, zhvilluar mes zëvëndëskryeministrit Niko Peleshi dhe ambasadorit të Izraelit në Shqipëri, David Cohen.

Në funksion të shtimit të bizneseve izrealite në vendin tonë, zëvendëskryeministri Peleshi njoftoi organizimin e një forumi në Tel-Aviv.

“Në datën 21 dhe 22 tetor, një mision i madh biznesi nga Shqipëria do të vizitojë Izraelin, do të marrë pjesë në një forum të dedikuar marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Izraelit”, tha Peleshi.

Top Channel e pyeti ambasadorin Cohen se në cilat fusha biznesi izrealit është i interesuar të investojë në Shqipëri.

“Mund t’ju them se që kur është hapur ambasada e Izraelit në Shqipëri, një vit më parë ne kemi inkurajuar bizneset nga vendi ynë për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë mundësinë se ku mund të përfshihen në ekonominë shqiptare. Ne si ambasadë mendojnë se ekzistojnë të gjitha kushtet për të sjellë ekspertizën izraelite, kur ne kemi përparuar në disa fusha si përshembull agrikulturën moderne dhe teknologji. Vetëm nga këto dy fusha mund të krijohen shumë vende punë për 10 vitet e ardhshme. Janë shumë kompani izraelite të interesuara për të zbuluar mundësitë e të bërit biznes në Shqipëri. Jam i kënaqur nga deklarimi i zëvëndëskryeministrit për heqjen e çdo barriere burokratike ndaj biznesit për t’i dhënë sektorit privat më shumë mundësi për të funksionuar dhe operuar”, tha ambasadori Cohen.

Peleshi: Borxhet do të shlyhen

Zëvëndëskryeministri Peleshi foli edhe për një çështje të mprehtë atë të borxhit të trashëguar nga Qeveria Berisha ndaj biznesit.

“Ne do të tregojmë në radhe të parë integritet dhe dinjitet në raport me të gjithë çështjet që shqetësojnë biznesin, në raport me Qeverinë. Nuk dua të përmend shumë në detaje angazhimin tonë të deritanishëm dhe që i qëndrojmë fort, të pagimit të borxheve që Qeveria i ka biznesit. Pra ky është hapi i parë që ne do të bëjmë për të treguar integritet dhe respekt në kontratat që biznesi lidh me Qeverinë”, tha Peleshi.

Top Channel: Sa i përket konsesioneve të firmosura përpara 23 qershorit a do të rishikohen dhe kur?

Niko Peleshi: Jemi të vendosur që pa cënuar absolutisht marrëdhënien dhe besimin e investitorëve vendas dhe të huaj tek Qeveria shqiptare të rishikojmë të gjitha ato kontrata, të cilat nëpërkembin dhe shkelin interesin publik të shqiptarëve./tch/kohaislame

Artikulli paraprakPD: Labonitë Demi Murtezi kandidate për kryetare në Gjilan
Artikulli vijuesBashkësia Islame në Maqedoni prononcohet rreth ndalimit të Ezanit