“Korridori 8 është prioriteti ynë. Ai është me rëndësi jetësore për rajonin tonë”, deklaroi sot kryeministri bullgar, Bojko Borisov, në fillim të seancës së parë të përbashkët të qeverive të Maqedonisë dhe Bullgarisë, që po mbahet në Strumicë.
Delegacioni i lartë bullgar paradite, në manastirin Vodoça afër Strumicës e priti kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili e falënderoi të ftuarin e tij bullgar për vizitën, duke theksuar se ai për të fillimisht është mik, e pastaj kolegë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kryeministri bullgar e falënderoi nikoqirin e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe theksoi se pa solidaritet evropian nuk ka as zhvillim ekonomik as evropian.
Sipas tij, për Bullgarinë, rajoni është temë prioritare, edhe takimi i sotëm në Strumicë është dëshmi për këtë.
Momentalisht në Shtëpinë e ARM-së në Strumicë mbahet seanca e parë e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë dhe të Bullgarisë, ndërsa në rend dite janë nëntë marrëveshje nga shumë sfera dhe një deklaratë e përbashkët./Telegrafi/