Brukseli përsëriti thirrjen për formimin e shpejtë të qeverisë e cila do të fokusohet në agjendën evropiane të vendit.
Komisioneri evropian për zgjerim Johanes Han duke folur para Asamblesë së përgjithshme të Këshillit të Evropës nënvizoi se shumica parlamentare dhe qeveria e re duhet ti plotësojnë kushtet e nevojshme që ka parashtruar Brukseli në mënyrë që të zhbllokohet rruga evropiane e vendit. Në këtë kuadër Han theksoi edhe nevojën për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Shpresoj se qeveria do të formohet së shpejti dhe me një bazë solide në mënyrë që të arrihet progres i qëndrueshëm sa i përket integrimit evropian. Gjithashtu shpresoj se do të jemi në gjendje të iniciojmë bisedimet për anëtarësim sa më shpejtë që është e mundur por fillimisht duhet të përmbushen kushtet. Të gjitha palët e kanë që qartë se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nëse do të kemi një shumicë të duhur në parlament dhe nëse qeveria do të jetë në favor të zbatimit të reformave – tha Johanes Han, komisioner për fqinjësi dhe zgjerim.
Megjithëse komisioneri Han theksoi se Brukseli është i interesuar që të përshpejtohet procesi integrues i vendit, zv/kryeministri për çështje evropiane i Maltës i cili kryeson presidencën e radhës të BE-së pas takimit joformal të ministrave të jashtëm të Unionit theksoi se zgjerimi nuk është ndër prioritetet kryesore gjatë kësaj presidence.
Ne gjithashtu diskutuam çështje të tjera që janë të rëndësishme gjatë presidencës sonë sikurse zgjerimi, prona intelektuale por këto nuk janë pjesë e prioriteteve tona kryesore – tha Louis Grech, zv/kryeministër dhe ministër për çështje evropiane i Maltës
Nga ana tjetër çështja e Maqedonisë pritet të diskutohet edhe në Parlamentin Evropian të hënën. Deputetët evropian do të shqyrtojnë projekt rezolutën e përgatitur nga eurodeputeti Ivo Vajgël. Në fokus të dokumentit janë zbatimi i reformave urgjente dhe Marrëveshjes së Përzhniës ndërkohë që theks të veçantë i është vendosur nevojës që të ndalojnë obstruksionet ndaj Prokurorisë Speciale në mënyrë që ekipi i Katica Janevës të mund të punojë në mënyrë autonome dhe zhvillojë hetime thelbësore. Ndërkaq kritika Maqedonisë i janë drejtuar edhe rreth sulmeve radikale ndaj sektorit civil dhe përfaqësuesve të huaj nga ana e politikanëve dhe mediave. Liria e mediave, politizimi i gjyqësorit dhe administratës mbeten njollat e zeza të Maqedonisë në rrugën drejt integrimit në BE.