Çdo muaj më i shtrenjtë se tjetri

Në muajin shtator sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) çmimet e konsumit u rritën.

Çmimet e konsumit në muajin shtator ishin më të shtrenjta se një muaj më parë. Këtë e bëri të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e Indeksit të harmonizuar të çmimeve të tërësishme të konsumit.

“Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0,2 % në muajin shtator 2016 krahasuar me muajin gusht 2016. Shkalla e inflacionit e matur në muajin shtator 2016 me muajin shtator 2015 ishte 0,6%,” thuhet në publikim.

Ngritjen e çmimeve e shkaktuan perimet, lëndët djegëse, rryma, gazi dhe prodhimet më të shtrenjta të qumështit.

“Ngritje e çmimeve vërehet te qumështi, djathi dhe vezët (1,2%), perimet (5,5%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (1,0%)-(ngritje e çmimit të druve për ngrohje) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,4 për qind në IHÇK-së,” tregon ASK-ja.

Në shtator më të ulëta ishin çmimet e pemëve dhe transportit ajror.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve te pemët (-4,1%), shërbimet për transport (-3,5%)-(rënie e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK,” vazhdoi më tej publikimi.

Rritje të çmimeve u vërejt edhe në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar. Pijet alkoolike dhe duhani kontribuuan më shumë në këtë rritje duke u shoqëruar edhe nga artikujt tjerë.

“Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,6% në muajin shtator 2016 krahasuar me muajin shtator 2015. Në këtë periudhë vërehen ngritje e çmimeve te mishi (1,0%), qumështi, djathi dhe vezët (2,6%), sheqeri dhe ëmbëlsirat (8,1%), pijet alkoolike (2,7%), duhani (5,1%), veshje (2,8%), shërbimet për transport (11,8%)-(ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,1 për qind në IHÇK,” sqaron ASK-ja.

Por pemët dhe perimet ishin më të lira në shtatorin e sivjetmë në raport me shtatorin e vitit të kaluar.

“Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te buka dhe drithërat (-2,8%), pemët (-7,7%), perimet (-3,3%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-1,8%)-(rënie e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,5 për qind në IHÇK,” thuhet në publikimin e ASK-së.

Sipas Agjencisë së Statistikave edhe çmimet në gusht ishin më të shtrenjta se në korrik.

Artikulli paraprakCAPUSSELA:HOXHAJ DUHET TË SHKARKOHET, ISHTE I PËRFSHIRË NË SKANDALIN E AUK-UT
Artikulli vijuesKujdes! Biskotat “Jaffa” janë duke u shitur të mykura në tregun e Kosovës (FOTO)