Cebit-i në epokën e ekonomisë digjitale

 
Smartfone-t, celularët inteligjentë luajnë një rol dytësor në Cebit. Ajo që ka më shumë rëndësi këtu është lidhja në rrjet e gjërave – qoftë në industri ose për jetën e përditshme. Një rol qendror në Hanover luan Kina.
 Kancelarja Angela Merkel ne CeBIT 2015
Cebit-i i këtij viti ka moton: të kthehemi tek rrënjët – drejt një panairi biznesi, siç ishte në mes të viteve 1980. Më pak laraman dhe i zhurmshëm, më tepër prozaik dhe joemocional. Por jo më pak i rëndësishëm: sepse digjitalizimi është i gjithëpranishëm, ai ndërhyn jo vetëm në përditshmërinë e njerëzve, por po ashtu në modelet e biznesit të sipërmarrjeve. Organizatorët e panairit kanë menduar për këtë moton “d!conomy”, një krijesë fjalësh nga “digjital!” dhe “economy”.
Interneti për ta prekur me dorë
“Kjo përshkruan megjithatë saktësisht hyrjen e vrullshme të digjitalizimit në të gjithë sektorët ekonomikë dhe shoqërorë”, thotë shefi i Cebit-it, Oliver Frese. “Përpara se “interneti i gjërave” të kthehet në realitet, sipërmarrjeve u duhet të investojnë miliarda në infrastrukturën e telekomunikacionit, në proceset të analizimit të të dhënave, në mjetet e vlerësimit deri në qendra të kapacitetit të lartë llogaritës.”
Përparësia e Cebit-it ndaj panaireve të tjera është që këtu është e dukshme e gjithë fusha e digjitalizimit dhe nuk përqendrohet vëmendja vetëm në produkte të caktuara. Me sa duket koncepti i ri ka sukses: 3300 ekspozues nga 70 vende kanë ardhur, midis tyre shumë firma të mëdha në degën e IT, si: Samsung, Vodafone, Deutsche Telekom, Huawei, HewlettPackard, Intel, por edhe Dropbox-i dhe Xiaomi. Xiaomi? Në Gjermani nuk e njeh askush, por në Kinë kjo sipërmarrje është numri një me smartfonët e saj. Kina luan këtë vit një rol kryesor në Hanover, ajo është vendi partner i panairit. Një në pesë ekspozues ka ardhur nga Kina.
Spostim drejt Lindjes
“Kina është vendi partner më i fuqishëm, që ka patur ndonjëherë Cebiti, me më shumë se 600 sipërmarrje nga Perandoria e Mesit”, thotë shefi i Panairit, Frese. “Kina është zhvilluar nga një bankë e thjeshtë pune në një ofruese globale të zgjidhjeve për botën digjitale.” Sipërmarrje si Huawei dhe ZTE janë që tani ofruese të cilësisë më të lartë në pajisjen e rrjeteve si p.sh. në Evropë. Frese: “Ne përjetojmë shumë qartë një spostim të hartës drejt Lindjes”.
Çfarë mbetet përballë një zhvillimi të tillë të vrullshëm për degën e IT-së së Gjermanisë? Vetëm roli i spektatorit që habitet? Jo, thotë Dieter Kempf, president i shoqatës së degëve Bitkom. Sipas një sondazhi aktual, 86 përqind e 500 sipërmarrjeve të pyetura nga Bitkomi e shohin digjitalizimin më tepër si shans, se sa si rrezik. Numri i vendeve të punës në këtë degë po rritet pa ndërprerje.
Kempf pret në Cebit “një numër të madh produktesh konkrete, si në fushën e industrisë, ashtu edhe në shërbime, por edhe në sektorin privat, ku përmes digjitalizimit lindin oferta të reja për zgjidhjen e problemeve, ku gjejnë përdorim teknologji të reja.” Analiza e sasive të mëdha të të dhënave (Big Data Analytics” është një shembull i tillë. “Por edhe ndërthurrja e sistemeve klasike të IT-së me sisteme IT të afërta me produktet, si sensorika dhe përpunimi i informacionit – këtu do të shohim shumë shembuj”.
Artikulli paraprakKosova kërkon lejim të “përgjimit” nga Facebook, për 7 raste
Artikulli vijuesVllasi, organizatorëve të demonstratave të ’81-shit: S’kërkuat republikë, as bashkim, as të drejta për shqiptarët, por enverizëm dhe stalinizëm