Dukagjin Pupovci: Rektor, jep dorëheqje

Po të isha në vend të Ibrahim Gashit do të jepja dorëheqje. Rektori me vetëdije i ka publikuar tri punime në revistën indiane ‘korruptive-shkencore’. Ai duhet të reflektojë për pozitën e vetë në krye të UP’së. Këshilli Drejtues s’ka shumë zgjidhje dhe duhet të shoh nëse mund të funksionojë UP’ja me një udhëheqës të tillë. Dukagjin Pupovci flet për Express.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë se po të ishte ai në vend të Rektorit Ibrahim Gashi do të largohej nga udhëheqja e Universitetit. Këtë e arsyeton me faktin se tashmë mbi udhëheqësin e Universitetit po rëndojnë dyshime se me vetëdije ka publikuar punime në revistë korruptive shkencore.

“Dorëheqja është akt moral dhe personal dhe e vetmja gjë që mund ta them është se unë do të kisha dhënë dorëheqje po të isha në pozitën e prof. Gashit. Mbase në këtë moment dorëheqja do të prodhonte më shumë efekt negativ sesa pozitiv, por, pa marrë parasysh këtë, nuk do të kisha mundur të qëndroj në krye të Universitetit nëse kam publikuar, qoftë edhe nga padija, tri punime në revistën ku “Filan Fisteku” ia del të bëj parodi duke shfrytëzuar një dokument aq të mirënjohur siç është “Manifesti” i Marksit”, ka thënë Pupovci, në një intervistë me shkrim për Express.

Ibrahim Gashi është avancuar me gradën akademike prej profesorit të asocuar në profesor të rregullt, duke prezantuar tri punime shkencore, të cilat janë publikuar në një revistë false të Indisë. Këto tri punime i kanë shërbyer Rektorit për t’u avancuar në gradën e profesorit të rregullt. Ndërkohë, sot, Koha Ditore ka publikuar një rrëfim, ku një person ka publikuar një punim në të njëjtën revistë ‘shkencore’ një punim me emrin “Filan Fisteku”. Punimi i publikuar në revistë ka përmbajtur “Manifestin e Marksit”. Pa kurrfarë problemi, punimi është publikuar me vetëm 80 euro, të cilat janë paguar.

Pas kësaj, Dukagjin Pupovci thotë se Ibrahim Gashi duhet të reflektoj edhe vet për pozitën që ka në udhëheqje të UP’së.

“Pa dyshim, “punimi” i publikuar në revistën indiane nga autori “Filan Fisteku” flet për cilësinë dhe seriozitetin e kësaj reviste. Kjo revistë dhe revistat e ngjashme duhet të futen në listë të zezë të çdo universiteti në botë, ndërsa publikimet në revista të tilla nuk bën të vlerësohen. Kuptohet, publikimi në një revistë të tillë dhe shfrytëzimi i publikimit si referencë ngreh dilema për atë sa kanë qenë të informuar autorët me karakterin e revistës, prandaj mendoj se rektori duhet të reflektojë për pozitën e vet në krye të Universitetit”, ka shtuar ai.

Ndryshe, sot, Kryetari i Këshillit Drejtues të UP’së, Muharrem Nitaj ka kërkuar nga të gjithë profesorët që kanë publikuar nëpër revista ‘korruptive shkencore’ t’i tërheqin ato punime.

Por, ish-anëtari i Këshillit Drejtues të UP’së, Dukagjin Pupovci thotë se organi qeverisës i UP’së s’ka shumë zgjidhje sa i përket shkarkimit ose jo të Ibrahim Gashit.

Pupovci thotë se është problematike për UP’në ta udhëheq një njeri mbi të cilin tashmë ka dyshime se ka bërë falsifikime kur ka vendosur të kandidoi për avancime në grada akademike.

“Mendoj se çdo njeriu duhet t’i jepet një kohë e arsyeshme për të reflektuar për pozitën e vet, e nëse kjo nuk ndodhë, atëherë Këshilli Drejtues nuk ka shumë zgjedhje përveç të ulet dhe të shoh a mund të funksionojë Universiteti nëse mbi rektorin rëndon dyshimi se ka publikuar me vetëdije në revistë “korruptive shkencore” siç u quajt sot.

Ibrahim Gashi është zgjedhur Rektor i UP’së pasi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, ku ishte deleguar nga Aleanca Kosova e Re. Deri në atë kohë, Gashi ka mbajtur pozitën e Zëvendëspresidentit të AKR’së dhe për një kohë ka qenë edhe Këshilltar i Pacollit për kohën sa ky i fundit ka qenë në Presidencë.

Dorëheqja është akt moral dhe personal dhe e vetmja gjë që mund ta them është se unë do të kisha dhënë dorëheqje po të isha në pozitën e prof. Gashit”.

Artikulli paraprakSiri: Asadi po akuzohet për infiltrim mes grupeve luftuese në Siri, për ta dëmtuar imazhin e kryengritjes?
Artikulli vijuesHP lanson dy telefona-tableta