Infrastruktura dhe kushtet e mira për prokurorët në Prokurorinë Themelore në Gjilan do të ndihmojnë në hetimet dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale
Kështu u tha në inaugurimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ku përfaqësuesit e drejtësisë theksuan se ky objekt është edhe hap për të luftuar dukuritë negative, krimin e organizuar dhe luftën kundër korrupsionit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përkrahin shtetin e Kosovës për të ndërtuar një sistem ligjor, ku përmes kësaj mund të ofrohet drejtësi. Ambasadori amerikan, Greg Delawie tha se ndër prioritet e tij është forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë.
“Shtetet e Bashkuara përkrahin nismat që forcojnë kapacitetet e Kosovës për të ndërtuar sisteme ligjore për të ofruar drejtësi, paanshme dhe përgjegjëse…Siç edhe ju e dini tanimë, bashkëpunimi me Kosovën për të forcuar sundimin e ligjit është një nga top prioritetet e mia si ambasador i ShBA-ve në Kosovë. Duke punuar së bashku, ne mund të sigurojnë se Kosova është ligjore dhe sundimi i ligjit është në vend që arrin standardet më të larta ndërkombëtare”, tha Delawie.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se ky objekt është lajm i mirë për Anamoravën dhe për gjithë njerëzit e drejtësisë. Ai shtoi se tani është koha që Kosova të ketë një drejtësi funksionale.
“Është koha që të kemi një drejtësi më funksionale dhe ta fitojmë besimin e plotë të qytetarëve në drejtësinë tonë. Dukuritë negative në vendin tonë, si krimi dhe korrupsioni, shkelja e të drejtave të njeriut duhet të kenë një adresë të kryesve por edhe të ndëshkimit. Në qoftë se pajtohemi që drejtësia është fakt dhe jo perceptim siç mund të jetë kohë pas kohe, politika atëherë gjithë ne në drejtësi do të punojmë në bazë të fakteve”, tha Kuçi, raporton KosovaPress.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, tha se objekti i Prokurorisë është një mundësi e mirë për prokurorët dhe stafin që të tregojnë efikasitet në luftën kundër dukurive negative në shoqëri. Ai thekson se prokurorët duhet të kenë guxim dhe profesionalizëm.
“Një ditë e madhe për të gjithë ne, e në veçanti është një ditë e madhe për të gjithë qytetarët e Anamoravës. Me lejoni të them se nga sot një objekt i tillë padyshim institucionin e Prokurorisë e bënë të barabartë me kushtet dhe standardet evropiane të drejtësisë. Ky objekt i ri është një mundësi për ne prokurorët dhe stafin tonë që të tregojmë efikasitet më të lartë në luftimin kundër dukurive negative në shoqëri, mundësi më shumë për të luftuar krimin e organizuar. Korrupsionin dhe çdo të keqe që e anon jetën, sigurinë dhe pasurinë e kësaj anë. Ne prokurorët duhet të kemi guxim, profesionalizëm dhe etikë në profesionin tonë”, tha Maloku.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumnezi tha që ngritja e objektit të Prokurorisë në Gjilan dhe kushtet e mira në këtë Prokurori do të ndihmojnë që fuqishëm të përmbushen detyrat e prokurorëve për të luftuar dukurit negative, me të cilat përballet shteti i Kosovës.
“Sot sistemi prokuroria ka fituar edhe një objekt të ri, në të cilën prokurorët do të ushtrojnë veprimtarinë e vetë të përditshme me hetime dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale. Me ngritjen e këtij objekti janë krijuar kushtet më të mira që Prokuroria Themelore në Gjilan të filloj të përmbush më fuqishëm detyrat e veta në luftimin dukurive negative me të cilat përballet shteti jonë me fushatën e sundimit të ligjit si korrupsioni terrorizmi, krimi i organizuar dukuri këto që janë duke rrezikuar sigurinë paqen dhe drejtësinë në vendin tonë dhe më gjerë”, tha Lumnezi.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se komuna të cilin ai e drejton është ndër komunat më të sigurta në Republikën e Kosovës. Ai ka theksuar nevojën e përkapjes së institucioneve të drejtësisë për të rritur sundimin e ligjit në Gjilan.
“Gjilani është komuna më e sigurt në Republikën e Kosovës. Dy vitet e fundit ne nuk kemi pas krim asnjë lloj krimi, dy vitet e fundit realisht Gjilani është hy në agjendën e qyteteve të sigurta, falë edhe angazhimit edhe përkushtimit edhe ndërtimit të infrastrukturës, që sot edhe me ndërtimin objektit të Prokurorisë..Po ashtu jam i nderuar që sot në emër të qytetarëve të Gjilanit të falënderoj shumë dhe të konfirmoj nevojën që kemi vazhdojmë me rrit sundimin e ligjit dhe bartës të këtij instrumenti janë institucionet e drejtësisë”, tha Haziri.
Të pranishëm në inaugurimin e objektit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.