Delfinët ndihmojnë për të pastruar fushat e minuara të Adriatikut

Shpërthyes të mbetur në ujërat malazeze, një mbeturinë nga luftërat e shekullit të 20-të u hartografuan në një përpjekje të përbashkët ushtarake të zbulimit të minave.

Një stërvitje e përbashkët kohët e fundit midis Malit të Zi dhe ushtrisë së Shteteve të Bashkuara arriti sukses në rritjen e lidhjeve midis të dy vendeve si dhe në pastrimin e Gjirit të Bokës nga minat tokësore.

Yjet e shfaqjes, megjithatë, ishin të rinj në rajon. Qindra njerëz u grumbulluan në dokun e Tivatit të martën (24 tetor) ku delfinët, të trajnuar në zbulimin e minave nënujore, treguan disa nga aftësitë e tyre. Delfinët, që janë trajnuar në SHBA, veprojnë duke përdorur sensorët e tyre të shquar natyrorë për zbulimin e minave.

Spektakli përfundoi zyrtarisht stërvitjen ndërkombëtare Delfin 2012, që u zhvillua për dy javë këtë muaj. Stërvitja mblodhi gjashtë delfinë nga Programi i Gjitarëve të marinës së SHBA, Njësisë së Pajisjeve Shpërthyese të Marinës së SHBA-së e zhytësve të ushtrisë malazeze, kroate e sllovene.

Një kërkim i zgjeruar nënujor u krye në gji, ndërsa zhytësit kontrollonin çdo objekt të dyshuar të zbuluar nga delfinët.

Më pas, u prodhua një hartë e gjirit të Bokës, duke dhënë hollësi të vendit e informacionin mbi materialet shpërthyese të mbetura.

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi do të bëjë vendimin e saj përfundimtar nëse, kur e si do t’i heqë shpërthyesit.

Kristianj Harris, biolog detar e administrator i ekipit të San Diegos, ishte i kënaqur me përvojën në Malin e Zi.

“Mjedisi është shumë i ngjashëm me atë që kemi në San Diego, uji është më i pastër e më transparent dhe temperatura ishte vetëm rreth dy gradë më e lartë se idealja. Delfinët tanë nuk kishin patur ndonjë shans të punonin në një vend me topografi të tillë interesante e karakteristika të fundit të detit si në Gjirin e Bokës. Ishte e dobishme për ta që të punonin në kushte të tilla, duke kryer detyrat, duke kërkuar për objekte të dyshimta e duke i shënuar ato në fundin e detit,” i tha Haris së përditshmes Vijesti.

Pesëmbëdhjetë zhytës malazezë morën certifikata të SHBA në luftën me minat, si pjesë e trajnimit.

Ceremonia u ndoq nga Ambasadorja e SHBA Su Kej Braun, Atasheu Ushtarak i SHBA-së Brus Mërfi, Shefi i Shtabit të Ushtrisë malazeze Dragan Samarxhiç e Komandanti i Marinës malazeze Darko Vukoviç.

Braun vuri në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer të mbrojtjes SHBA-Mali i Zi.

“Njerëzit tanë udhëtuan më shumë se 10,000 kilometra nga San Diego në Gjirin e bukur të Kotorit me aeroplanin e transportit C-17. Për më shumë se 20 trajnerë, veterinerë e personel mbështetës, ekipit të MMP e 11 anëtarëve të EODMU-1, kjo ishte një mundësi unike për të marë pjesë në këtë stërvitje ndërkombëtare. Anëtarët e njësive të EODMU-1 me homologët e tyre malazezë dhanë më shumë se 20 orë trajnim teorik e praktik në zbulimin, identifikimin e shënimin e pajisjeve shpërthyese në fund të detit,” tha Braun.

Predrag Supiç, drejtori i stërvitjes tha se kjo ishte dalja e parë e e programeve të delfinëve të MMP në Mesdhe.

“Njerëzit tanë kanë patur mundësinë të mësojnë nga zhytësit më të mirë të SHBA-së. Bëmë një hap shtesë në rritjen e aftësive tona e rritjen e ndër-veprueshmërisë me forcat e NATO-s,” i tha Supiç SETimes./set

Artikulli paraprakNjë shpërthim i fuqishëm trondit kryeqytetin e Arabisë Saudite
Artikulli vijuesApple shtyn lançimin e iTunes 11