Deputetët e opozitës refuzojnë avokatët, nuk duan të mbrohen në heshtje


Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në seancën gjyqësore që po zhvillohet në këto momente ndaj tij, Albulena Haxhiut, Faton Topallit e Donika Kadaj Bujupit, ka thënë se ky gjykim që po bëhet ndaj tij nuk është i drejtë.
“Unë nuk dua të mbrohem në heshtje. Nuk konsideroj që ndodhem para një gjykimi të drejt. Avokatja është caktuar nga dikush tjetër dhe dua që gjykata të mos marrë parasysh fjalët e saj. Është gjykim i padrejtë dhe persekutim politik”, ka thënë Kurti në fjalën e tij.
Tutje, Kurti ka akuzuar gjyqtarin Beqir Kalludra se nuk po lejon komente.
“Sipas tij, në këtë fazë lejohet vetëm deklarimi për fajësinë ose pafajësinë”, u shpreh Kurti, raporton Koha.net, ndërsa ka shtuar se “për tërë këtë aktakuzë dhe kaq pak fjalë të them, kjo nuk është e drejtë”.
Edhe bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk do të mbrohet në heshtje, “por nuk dua t’i përgjigjem pyetjeve as të prokurores dhe as të gjyqtarit.
“Të gjitha veprimet tona në Kuvend kanë qenë politike dhe në kuadër të fushëveprimit tonë si deputetë. Unë nuk kam dashur fare avokat sepse nuk kam nevojë të mbrohem për veprimet tona”, ka theksuar ajo.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, ka thënë se veprimet tona kanë qenë në interes të qytetarëve.
“Unë nuk jam në konflikt me ligjin, por jam në konflikt me dy marrëveshjet e dëmshme të cilat do të vazhdoj t’i kundërshtoj”, ka thënë ajo, për të shtuar: “Unë nuk do t’i përgjigjem asnjë pyetjeje të prokurorisë e as të gjykatës”.
Deputeti tjetër i VV-së, Faton Topalli, ka thënë se do të deklarohet vetëm “për qëndrimet e mija politike”.

Në Gjykatën për Krime të Rënda në Pallatin e Drejtësisë po pritet të nis seanca gjyqësore ndaj tre deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj – Bujupi.

Deputetëve të Vetëvendosjes Kurti dhe Haxhiu iu ndryshua masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Kadaj – Bujupi, u lirua edhe nga arresti shtëpiak për t’u mbrojtur në liri.

image

Artikulli paraprakBMW prezanton konceptin i8 pa pasqyre
Artikulli vijuesPelegrinët serbë priten me protesta në Gjakovë, arrestohet një person