Dhjetë ditët më të mira të dynjasë (1)
Allahu Madhëruar thotë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët”. El-Fexhr, 1-2.
“dhjetë netët” janë dhjetë të muajit dhulhixhe. Kjo është fjala e Ibën Abasit, Ibën ez-Zubejrit, Muxhahidit etj.
Et-Taberij dhe Esh-Sheukani thonë: Kjo është fjala e shumicës.
Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) në tefsirin e tij thotë: “Kjo është e sakta”.
Allahu Madhëruar thotë: “dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai”. El-Haxh, 28.
Shumica e dijetarëve, prej tyre Ibën Umeri dhe Ibën Abasi, janë të mendimit se “ditët e caktuara” janë dhjetë ditët e dhulhixhes.
Transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu se: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ditët më të mira të dynjasë janë dhjetë (pra, dhjetë ditët e dhulhixhes)”.
El-Bezari dhe Ebu Jala. E ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu et-tergib”.