Sot shënohet Dita botërore kundër kancerit. Sëmundja e rëndë që mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të trupit është përgjegjëse për 20 për qind të vdekjeve që ndodhin në Evropë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkujton 4 shkurtin si Dita Kundër Kancerit. Në raportet e saj të përvitshme, krahas numri të të sëmurëve, të vdekurve dhe atyre që i kanë shpëtuar sëmundjes së rëndë, OBSH publikon edhe rekomandime mbi mënyrën se si mund të parandalohet kjo patologji.
Një stil jete më i kujdesshëm dhe kontrolle të herëpashershme mbeten dy këshillat kryesore.
Ndryshe, sipas të dhënave të OBSH-së, kanceri është një sëmundje që po bëhet gjithnjë e më tepër faktor në barrën globale të sëmundjeve, duke sfiduar shëndetin e miliona njerëzve anekënd botës.
Numri i përllogaritur i rasteve të reja për çdo vjet rritet prej 10 milionë në vitin 2000 deri në 15 milionë të supozuar në vitin 2020.
Kjo ditë me disa aktivitete do të shënohet edhe në Kosovë.
Task Forca Kosovare për Kontroll të Kancerit-TKKK, së bashku me MTCC ka dizajnuar dy fletpalosje në gjuhën angleze, të cilat janë përkthyer në të gjitha gjuhët e vendeve Mesdhetare duke përfshirë edhe gjuhën shqipe me moton: “Jetën tënde e ke ti në dorë” dhe “Ushqimi dhe kanceri”; me qëllim të vetëdijësimit të popullatës se si duhet parandaluar kanceri, cilët janë faktorët e rrezikut për tipat më të shpeshta të kancerit dhe si duhet të ushqehemi për ta parandaluar këtë sëmundje të rëndë.
Meqë, TKKK e konsideron si shumë të rëndësishme që këto fletpalosje të arrijnë në duar të popullatës për tu njohur me detajet e përmendura më lartë, në mënyrë që të ulet incidenca dhe vdekshmëria nga kjo sëmundje e cila ka marrë përmasa të gjëra, kanë paraparë që ato të shpërndahen gjatë 4 shkurtit, Ditës Botërore të Kancerit. /telegrafi