Gjëja e parë që e ka bërë të qartë kryetari i trupit gjykues, në rastin e “Grupit të Drenicës, ka qenë se gjyqtarët nuk ndihen të pasigurt për të gjykuar njerëzit më të fuqishëm në Kosovë, mes të cilëve ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe ish-komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku.
“Trupi gjykues nuk ndihet i kërcënuar në këtë rast”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Roman Rab.
Pjesë e këtij kolegji që po shqyrton ankesën e prokurorit dhe të disa të shpallurve fajtor për krime lufte është edhe gjyqtarja vendëse, Hava Haliti.
Këtë mesazh, gjyqtari e ka dhënë sot në fillim të seancës në të ashtuquajturin Grupi i Drenicës që ka nisur në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Shqyrtimi po mbahet në rastin kundër të akuzuarve, Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi, Sylejman Selimi, Sabit Geci, Sami Lushtaku, Avni Zabeli, Sahit Jashari, Sylejman Selimi dhe Ismet Haxha.
Në një proces të gjatë gjyqësor me mbi 50 seanca, shkalla e parë i kishte shpallur fajtor për krime lufte të gjithë të akuzuarit, pos Sabit Gecit, Sahit Jasharit, Ismet Haxhës e Avni Zabelit.
Prokuroria nuk është pajtuar me këtë aktgjykim në tersi.
Është ankuar në Gjykatën e Apelit për shkak se dënimet nga 3, deri në 12 vjet po i cilëson të buta. Është ankuar gjithashtu, për shkak se disa rrahje gjatë luftës në Likoc verën e vitit 1998, nuk i ka cilësuar si krime lufte. Është ankuar po kështu edhe për shkak të cilësimit që trupi i gjykues i ka bërë një vrasjeje të pretenduar nga Sami Lushtaku. Prokurori ka kërkuar që ky akt të cilësohet krim lufte e jo vetëm vrasje dhe t’i jepet dënimi më i lartë se 12 vjet sa është dënuar nga shkalla e parë.
Prokuroria ndërkaq, nuk ka bërë ankesë në rastin e shpalljes të pafajshëm të Ismet Haxhës dhe Avni Zabelit, ndonëse ata janë ftuar dhe kanë qenë pjesë e seancës së parë. Në ankesën e prokurorit nuk përmendet as Sahit Jashari, për çka avokati i tij ka kërkuar
Mbrojtja, nga ana tjetër është ankuar në Apel me pretendimin se shkalla e parë ka bërë shkelje të rënda të Kodit të Procedurës Penale dhe akteve tjera kur ka shpallur aktgjykime të bazuar në një dëshmitar të vetëm siç është rasti i Sami Lushtakut. Ka kërkuar që ankesa e prokurorit të hidhet poshtë dhe të dënuarit nga shkalla e parë të shpallen të pafajshëm. Në rast se nuk e bënë këtë, mbrojtja ka kërkuar prishjen e aktgjykimit dhe kthimin e rastit të rigjykim.
Ky është rasti më i madh i të akuzuarve për krime lufte. Pjesë është edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi. Në rast përfshihen madje edhe katër vëllezërit Demaku, të cilët gjatë luftës ishin përfshirë thuajse gjithë familja në luftën e UÇK-së, duke humbur disa anëtarë. Të dënuar nga shkalla e parë janë edhe katër vëllezërit Demaj.
Megjithëse, Sami Lushtaku ishte dënuar vetëm për vrasje që penalizohej në një pikë të aktakuzës, atij i ishte shqiptuar dënimi më i rëndë bazuar në dëshminë e vetëm një dëshmitari.
Lushtaku është shpallur fajtor sepse sipas Gjykatës, duke vepruar në mënyrë brutale, i ka marrë jetën me dashje një mashkulli të paidentifikuar që flet shqip, rreth moshës 40 vjeçare, duke ia vënë në kokë pistoletën e tipit TT, gjersa mashkulli kishte duart e lidhura dhe ruhej nga dy ushtarë të paidentifikuar të UÇK-së.
“…ka shkrepur tri të shtëna në kokën e mashkullit dhe me këtë ka shkaktuar vdekjen e tij, në një lokacion të pacaktuar ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc, në një datë të pacaktuar në shtator të vitit 1998 dhe ky veprim klasifikohet si vrasje”, thuhet në aktgjykim.
Shkalla e parë e kishte shpallur fajtor ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për veprën penale Krime të Luftës.
Selimi është dënuar me sepse sipas Gjykatës së shkallës së parë, gjatë konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë në disa raste në gusht dhe shtator të vitit 1998, ka vepruar në cilësi të pjesëtarit të UÇK-së dhe ka shkelur rëndë Nenin 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës.
“… me dashje ka kryer dhunë, trajtim mizor dhe torturë ndaj dëshmitarit A, civil, shqiptar i Kosovës, i paraburgosur në objektin e paraburgimit të UCK-së në Likoc, komuna e Skenderajt, i cili nuk kishte marrë pjesë aktive në veprime ushtarake, duke e rrahur atë me grushte dhe shuplakë, duke e kërcënuar me vdekje dhe duke e akuzuar se ishte spiun, brenda në qelinë e paraburgimit”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së parë.
“Për këtë vepër penale Selimi, është dënuar me 6 vjet burgim./