Prokuroria sekuestroi 600 mijë euro kesh, në llogarinë bankare të djalit 9 vjeçar të Rezart Taçit, ky i fundit i arrestuar në Zvicër për mashtrim dhe falsifikim.
Sekuestrimi i parave ka ardhur pas regjistrimit të procedimit penal ndaj kompanisë “Everes Oil” të Gjergj Bojaxhiut, pasi dyshohet se kjo kompani bashkëpunonte ngushtësisht me kompaninë “ARMO”, ish-pronë e Rrezart Taçit, njofton ABC Neës.
Burimet thanë, se në emër të djalit, ish-manjati i naftës në vitin 2013 ka depozituar një shumë prej 1 milionë eurove dhe që nga ajo kohë, kjo llogari nuk është prekur. Por, vetëm pak ditë pas publikimit të lajmit për kallëzimin ndaj Gjergj Bojaxhiut dhe kompanive të tij në Shqipëri, bashkëshortja e Rezart Taçit ka filluar boshatisjen e kësaj llogarie.
Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë policisë së shtetit, duke parë ndërhyrjen e familjarëve të Taçit në këtë llogari bankare, ka njoftuar Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit, pasi ka konstatuar se brenda disa ditëve, llogaria bankare nga 1 mln euro ka përfunduar në 600 mijë euro, ka vendosur sekuestrimin e saj.
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestrimin preventivë të kësaj llogarie, duke urdhëruar bankat e nivelit të dytë të mos lejojnë transferimin apo tërheqje kesh nga kjo llogari. Ndërkohë, për kompaninë e Gjergj Bojaxhiut, për të cilën kanë nisur hetimet nga prokuroria ende nuk ka ndonjë vendim sekuestrimi apo bllokimi të llogarive bankare, edhe pse dyshohet se për akuzën e “mashtrimeve me kredi”, “fshehjes së të ardhurave” dhe akuzën e “pastrimit të parave” në bashkëpunim.
Në kallëzimin që policia ka dorëzuar në prokurori, krahas kompanisë së Bojaxhiut janë denoncuar edhe disa kompania të mëdha të hidrokarbureve, mes tyre edhe ARMO ish-kompania në administrim nga Rezart Taçi. /