Drecun: Ekipi i Vuçiqit korri fitore të madhe diplomatike në Bruksel

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun tha sot se ekipi i kryeministrit Aleksandar Vuçiq i udhëhequr nga Marko Gjuriq, korri fitore të madhe diplomatike në Bruksel.

“Sipas informatave të mia, delegacioni i Prishtinës u soll në mënyrë të papërshtatshme dhe drejtoi një seri fyerjesh dhe kërcënime të hapura ndaj delegacionit serb me qëllim që t`i detyrojë ata të heqin dorë nga një pjesë e zgjidhjes, e cila do të ishte në dëm të interesave tona” ka thënë ai për RTS, transmeton Klan Kosova.

Drecun ka shtuar se pret që delegacioni i vendit të tij vazhdimisht të mbrojë interesat e popullit serb.

” E përgëzoj ekipin e kryeministrit Aleksandar Vuçiq të udhëhequr nga Marko Gjuriq, sepse unë mendoj se ne kemi arritur një model që duhet të aplikohet edhe në të ardhmen për të vazhduar negociatat me Prishtinën ” theksoi ai.

Mediat serbe raportojnë se gjatë bisedimeve të djeshme në Bruksel në mes të delegacionit të Prishtinës dhe atij të Beogradit është arritur marrëveshje me ç`rast është zgjidhur çështja e hyrjes/daljes në Kosovë me letërnjoftime të lëshuara nga strukturat paralele serbe, transmeton Klan Kosova.

Poashtu, raportohet se palët janë dakorduar edhe për heqjen e bllokadës së kalimit të kamionëve që transportojnë materie të rrezikshme, ndalimit të hyrjes së zyrtarëve serbë në vendin tonë si dhe për zgjedhjet e së dielës.

Artikulli paraprakKitoraviq i ankohet Ba Ki-moon-it për lirimin e Sheshelit
Artikulli vijuesRritet në 64 numri i të vdekurve nga shpërthimi në Kabul