Glendi Dukaj
Ndryshimi i Kushtetutës në nenin 18 të saj është themelor dhe do të sjellë rrëzimin e Kodit të Familjes. Dukaj shpjegon nga një këndvështrim juridik pse ndryshimi do të prodhojë një pasojë të tillë. Për fat të keq, çështja e mezipritur e ndryshimeve Kushtetuese për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, kohët e fundit ka hyrë në një tjetër debat dhe ngërç të panevojshëm, që nuk ka më lidhje më gjyqësorin shqiptar: Lejimin apo jo të martesave “gay”! I tillë debat është hapur pasi, bashkë me ndryshimet që prekin sistemin e drejtësisë, është propozuar që të ndryshohet edhe Neni 18/2 i Kushtetutës aktuale, duke shtuar togfjalëshin “orientim seksual”. Pra, kjo dispozitë do të shndërrohet në këtë mënyrë: “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, orientimi seksual, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.”
Për hir të së vërtetës, ky ndryshim, me ose pa qëllim u mbajt tërësisht jashtë vëmendjes së publikut. Megjithatë, menjëherë pas publikimit, bashkësitë fetare, analistë dhe konstitucionalistë të ndryshëm në media dhe disa deputetë të mazhorancës dhe opozitës, u shprehën kategorikisht kundër këtij ndryshimi. Sipas tyre, përfshirja e këtij togfjalëshi në Kushtetutë, do të shndërronte automatikisht në antikushtetues Kodin e Familjes, i cili njeh si martesë vetëm atë midis burrit dhe gruas.
Ajo që çuditi jo vetëm juristët por edhe qytetarin me intelekt mesatar ishin komentet e Vasilika Hysit, deputete dhe përfaqësuese e Partisë Socialistë në Komisionin e Reformës në Drejtësi, dhe profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Hysi e lexon përfshirjen e togfjalëshit “orientim seksual” në Kushtetutë si të pa lidhur me Kodin e Familjes dhe si rrjedhim nuk mendon se ky ndryshim kushtetues do të sjellë lejimin e martesave gay dhe të drejtën e LGBTI të birësojnë fëmijë. Sidoqoftë kjo formë e ndryshimit kushtetues në një vakum të debatit publik u përball nga reagime kurajoze të përfaqësueseve të legjislativit, ku më i spikatur dhe i drejtpërdrejtë ka qenë deklarimi i deputetes Mesila Doda. Kjo e fundit, tërësisht në të drejtën e saj iu kërkoi deputetëve të mos ta votojnë këtë amendim duke e konsideruar atë si një nen tërësisht të panevojshëm nga pikëpamja e rregullimit të së drejtës, si një nen i cili nuk lidhet me reformën në drejtësi dhe si një nen i cili del jashtë frymës kushtetuese. Kjo e fundit ka si qëllim të ruajë kohezionin social, i cili mbështetet në tabanin tradicional duke ofruar mbrojtjen e nevojshme për minoritet, gjë të cilën Kushtetuta aktuale e bën në mënyrë shteruese. Në Kushtetutë nuk mund të listohen të gjitha të drejtat por ato më kryesoret dhe më përfaqësueset, pasi një listim i tyre do ta bënte Kushtetutën dokument të ngurtë dhe përjashtues të të drejtave të tjera që mund të lindin me kohën. Ky është një shqetësim që konstitucionalistët e kanë mësuar që nga debatet e Aleksandër Hamilton në “Letrat e Federalistëve” nr. 84, një shekull më parë.
Si është në fakt interpretimi i sinqertë i kësaj çështjeje, bazuar në një analizë kushtetuese? A nënkupton përfshirja e togfjalëshit “orientim seksual” në Nenin 18/2 lejimin e martesave “gay” në Shqipëri, apo jo?
Së pari, lapsusi me dashje ose jo, i profesoreshë Hysit është konceptual. Kushtetuta nuk mund të shihet e shkëputur nga kodet dhe ligjet e tjera por si premisa e tyre. Çdo ligj ndërtohet apo rishikohet në frymën kushtetuese, qoftë nga legjislativi, nga gjyqësori nëpërmjet kontrollit incidental por dhe nga shoqëria në mënyrë direkte me një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Së dyti, nga një lexim sipërfaqësor duket sikur shtimi i një togfjalëshi të tillë, nuk ka ndonjë pasojë për shumicën e qytetarëve të zakonshëm shqiptar. E vërteta në fakt është krejt ndryshe. Kushtetuta është akti juridik më i rëndësishëm i shtetit dhe ndodhet në majë të piramidës së ligjeve (Neni 116 i Kushtetutës). Si e tillë, nëse Neni 18/2 i Kushtetutës do të ndryshohet duke shtuar edhe togfjalëshin “orientim seksual”, ai do të binte ndesh me Nenin 7 të Kodit të Familjes, që kërkon gjini të ndryshme të bashkëshortëve për t’u martuar. Si i tillë, ky nën i Kodit të Familjes, i cili ndodhet më poshtë se Kushtetuta në hierarkinë e ligjeve, do të konsiderohej në kundërshtim me të dhe do të shfuqizohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese, duke lejuar martesën gay në Shqipëri, sapo të paraqitej një kërkesë e tillë para saj. E njëjta gjë do të bëhej edhe me dispozitat që rregullojnë birësimin. Pra, institucioni i “martesës” dhe “familjes”, nga heteroseksual që është aktualisht, midis një mashkulli dhe një femre, do të konsiderohej si antikushtetues, duke lejuar në këtë mënyrë martesën ndërmjet homoseksualëve në Shqipëri. Po ashtu, çiftet homoseksuale do të kishin të drejtën e birësimeve. E tillë strategji që kërkohet të aplikohet në Shqipëri, është përdorur edhe më parë me sukses nga lobuesit LGBTI në vende të tjera. Dhe ishte pikërisht kjo arsyeja që e detyroi Kroacinë në vitin 2013 të kryente një referendum ku vendosi të përfshijë në Kushtetutë ndalesën e martesave “gay”.
Së treti, çështja e mosdiskriminimit për shkak të orientimit seksual në Shqipëri është zgjidhur një herë ë mirë me ligj. Në vitin 2010, është miratuar Ligji Nr. 10221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, ku është krijuar edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky Komisioner ka edhe kompetenca ligjore që të vendosë gjoba deri në 600 000 Lekë (të rinj) për arsye diskriminimi të bazuara mbi orientimin seksual. Pra në Shqipëri parashikimi ligjor që mbron njerëzit nga diskriminimi për shkak të orientimit të tyre seksual, ekziston qartë në ligj. Kjo tregon edhe një herë qartazi së përfshirja ë togfjalëshit “orientim seksual” në Kushtetutë, nuk është e rastësishme, nuk ka aspak si qëllim garantimin ligjor të mosdiskriminimit të tyre, por në fakt, ka qëllim të drejtpërdrejtë anulimin e Kodit të Familjes, i cili konsideron si martesë vetëm atë midis një gruaje e një burri.
Së katërti, martesa “gay” nuk është kërkesë e BE ku ne synojmë të hyjmë, Këshillit të Evropës dhe e Gjykatës së Strasburgut. Ky argument i falsifikuar përdoret shpesh nga “NGO-të” e sponsorizuara në funksion të lobimit të LGBTI në Shqipëri. Por realiteti juridik, politik dhe kulturor rreth kësaj çështjeje është krejt i ndryshëm. Të mos lejosh martesën gay je po aq Evropian sa një Gjerman, Zviceran apo Austriak. Mbi 50% e shteteve në Evropë nuk e njohin martesën gay. Nga ana tjetër, BE nuk ka asnjë rregullore, apo direktivë të saj që të detyrojë vendet anëtare apo shtetet kandidate, që të miratojnë martesat “gay”. Ato konsiderohen tërësisht çështje e brendshme e shteteve, dhe ju lihet shoqërive respektive që të vendosin në mënyrë të lirë. Prova më e mirë për këtë është Kroacia, anëtarja më e re e BE-së, e cila në vitin 2013 vendos ndalimin e martesës homoseksuale me referendum në Kushtetutë, dhe ky vendim i popullit të saj, nuk i cenoi aspak statusin në BE, përkundrazi në 1 Korrik 2013 u bë anëtare me të drejta të plota. Po ashtu, edhe Këshilli i Evropës, me anë të Gjykatës së Strasburgut, e bëri të qartë në njërin nga vendimet e saj më të fundit se martesa tradicionale midis burrit dhe gruas është ajo e cila mëshirohet dhe mbrohet në Konventën Evropianë të të Drejtave të Njeriut, dhe nuk i vendos asnjë detyrim shteteve për të pranuar martesat “gay”. Përkundrazi, këtë të drejtë ia njeh popujve dhe institucioneve të tyre për të vendosur. Ja si shprehet kjo Gjykatë në çështjen Hämäläinën v Finland (2014) 787, Dhoma e Madhe (Grand Chamber – në një votim 14 kundër 3):
“…Neni 12 i Konventës është një lex specialis për të drejtën për t’u martuar. Ajo siguron të drejtën themelore të mashkullit dhe femrës për t’u martuar dhe për të formuar një familje. Neni 12 parashikon shprehimisht për rregullimin e martesës sipas ligjit kombëtar. Ai mishëron konceptin tradicional të martesës midis një burri dhe një gruaje… Ndërsa është e vërtetë se disa shtete e kanë shtrirë konceptin e martesës për partnerët e të njëjtës gjini, neni 12 nuk mund të interpretohet si vendosje e një detyrimi mbi Shtetet Kontraktuese për të dhënë akses në martesën e çifteve të të njëjtit seks”.
Së pesti, cili është mjeti juridik i duhur për të realizuar një ndryshim të tillë në Shqipëri? Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Neni 2): “Sovraniteti (e drejta për të vendosur) në Republikën e Shqipërisë i përket popullit; Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti” më referendum. Kalimi i kësaj çështjeje kaq thelbësore për shoqërinë shqiptare, në mënyrë të fshehtë, pa debat publik apo referendum, është asgjë më pak se sa dhunim i hapur i Kushtetutës aktuale shqiptare. Prandaj, referendumi popullor do të ishte mjeti më i drejtë, dhe mekanizmi më i mirë që do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Si përfundim, ka pak rëndësi nëse fshehtësia më të cilën është kërkuar të kalojë kjo çështje, apo mos shtruarja për debat publik direkt qoftë edhe nga opozita, është neglizhencë apo tërësisht e qëllimshme. Ajo që është thelbësore të kuptohet është se ndryshimi i konceptit ligjor dhe social i “martesës” dhe “familjes”, përfshirë traditën dhe kulturën mijëvjeçare shqiptare, nuk është dhe nuk mund të jetë kompetencë ekskluzive e një grupi ekspertësh apo disa deputetëve të “sponsorizuar” nga LGBTI. Përgjigja e pyetjes nëse duhet apo jo të lejohet martesa gay duhet t’i nënshtrohet një referendumi popullor vetëm për këtë çështje dhe jo të fshihet tinëzisht pas reformës në drejtësi. Mbrojtja e institucionit të familjes është po aq e rëndësishme sa mbrojtja e sistemit të drejtësisë dhe nuk mund të trajtohet si derivat i saj apo si diçka e dorës së dytë. Prandaj, përfshirja e saj në paketën e “reformës në drejtësi” jo vetëm që nuk e ndihmon reformën substancialisht, përkundrazi, e bën procesin e miratimit të saj të pamundur juridikisht dhe politikisht, si në Parlament ashtu edhe në një referendum popullor të mundshëm. Reforma në drejtësi, një reformë kaq e rëndësishme për shoqërinë shqiptare nuk mund të kushtëzohet me martesën gay. Do të ishte një akt tërësisht jo legjitim, apolitik dhe i padrejtë në kurriz të shqiptarëve, që ata të vendoseshin përballë dilemës midis një reforme në drejtësi dhe martesën gay. Nëse partitë politike dhe përfaqësuesit e popullit në parlament janë të kompleksuar përballë lobingut të LGBTI, atëherë le t’ia kalojnë këtë përgjegjësi shoqërisë shqiptare të vendosë për të në një referendum. Kjo është më e pakta që mund të bëjnë. Askush nuk mund t’i vendosë shqiptarët përpara sfidës të minojmë institucionin mijëvjeçar të familjes për të kinse shpëtuar sistemin e drejtësisë.
*Jurist, SHBA