Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se marrëveshja për Drejtësinë me Serbinë dhe është kundër interesave të Kosovës dhe sipas tij, institucionet e Kosovës i kanë pranuar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj serbë me rekomandim të Serbisë.
Konjufca tha se kanë zbuluar një aneks të Marrëveshjes së Drejtësisë e cila është mbajtur e fshehtë nga Serbia.
Ai tha se në marrëveshje thuhet “Aktgjykimet e lëshuara nga gjykatat në Serbi deri më 15 korrik 2013 konsiderohen të vlefshme në Kosovë”.
Sipas Konjufcës, ky aneks është mbajtur i fshehtë pikërisht për shkak të kësaj përmbajtjeje.
Ai tha se me këtë aneks vendimet e gjykatave të Serbisë deri më 15 korrik 2013 janë të vlefshme në Kosovë.
Konjufca më tej tha se emrat e gjyqtarëve janë caktuar nga Vuçiqi dhe të gjitha këto sipas tij, i demaskojnë gënjeshtrat e Qeverisë se gjithçka është në përputhje me ligjin dhe se Kosova do t’i caktoj gjyqtarët.
Sipas tij, gjyqtarët nuk janë emëruar në bazë të konkursit po nga bisedimet me Serbinë. /Telegrafi/