Presidenti turk, Recep Taip Erdogan u ëshë rikthyer deklaratave të drejtpërdrejta ndaj Shteteve të Bashkuara në lidhje me qëndrimin e mbajtur prej tyre ndaj grupeve rebele kurde që luftojnë në Siri.
Gjatë një fjalimi të mbajtur këtë të mërkurë në Ankara, presidenti turk akuzoi Uashingtonin për “lojë të dyfishtë”.
“Jeni me ne apo me organizatat terroriste PYD dhe YPG?”, pyet Erdogan.
Që të dyja këto grupe rebele kurde mbështeten nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër ISIS-it, por Ankaraja i cilëson si grupe terroriste, derivate të Partisë Popullore të Kurdistanit, e shpallur organizatë terroriste në Turqi.
“A ka ndonjë ndryshim mes PKK dhe PYD? A ka ndonjë ndryshim mes PKK dhe YPG? Ne kemi prova, fakte dhe u kemi thënë amerikanëve që janë grupe terroriste. Por amerikanët na kundërshtojnë dhe na thonë; Jo! Ne nuk i konsiderojmë grupe terroriste”, shton Erdogan.
Presidenti turk shkon deri atje sa të cilësojë këtë si arsyen kryesore që rajoni është shndërruar në një “pellg gjaku”.
Këto deklarata të Erdogan mbërrijnë në një moment kur presioni ndaj Ankarasë për të lejuar që të hyjnë në tokën e saj 35 mijë sirianë të zhvendosur kryesisht nga qyteti i Aleppo-s, ose më mirë nga ajo që ka mbetur nga ky qytet, si pasojë e ofensivës së forcave qeveritare të Bashar al-Assad, milicitë e mbështetura nga Irani dhe bombardimet ajrore ruse./ Top Channel