Erdogan “i tregon vendin” gazetës “New York Times”

0
159
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se gazeta amerikane “New York Times” ka kapërcyer kufirin e lirisë duke publikuar lajme, që ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit të tij.
 
Gjatë një fjalimi në panelin me temë “Shembuj vendesh për sistemin presidencial dhe dinamikat themelore të sistemit presidencial për Turqinë”, organizuar mbrëmjen e të hënës në Stamboll, Erdogan kritikoi me një gjuhë të ashpër të përditshmen “New York Times” për artikuj dhe analiza të rreme në lidhje me Turqinë.
“Nëpërmjet një shkrimi të paskrupullt dhe jashtë edukate, kjo gazetë bën adresime se ‘në Turqinë e Erdoganit ndodhin këto gjëra’, duke i dhënë pothuajse direktiva Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Thotë ‘Përse nuk veproni?’. Ti nuk je gjë tjetër veçse një gazetë dhe duhet të dish cakun. A mund ta bësh një gjë të tillë kundër administratës amerikane? Në çast ta tregojnë vendin”, u shpreh lideri turk, duke theksuar se kjo gazetë e ka kapërcyer kufirin.
“Sa më shumë që ne fuqizojmë lidhjen ndërmjet popullit dhe shtetit, aq më tepër shqetësohet disa rrethe nga kjo”, përfundoi Presidenti Erdogan./TRT