Ti nuk je klient i koncerneve të internetit, ti je produkti i tyre”. Kështu është shprehur në mënyrë konçize pionieri i internetit Jaron Lanier. Këtë mesazh qendror e bën të ditur që në faqen e parë libri i tij “Kujt i përket e ardhmja?” Në këtë libër Lanier – që vitin e kaluar mori Çmimin e Paqes të Tregtisë Gjermane të Librit- analizon tendencat aktuale në ekonominë e rrjetit. Rezultati: tendenca ecën në drejtim të “Big Data”, në drejtim të përgjimit total dhe shfrytëzimit të mëtejshëm komercial. Facebooku e nxit këtë tendencë me rregullat e reja të biznesit.
Përsa i përket së ardhmes: janë tregjet financiare ato që bëjnë biznes me shpresat për të ardhmen. Dhe ato e vlerësojnë Facebook-un aktualisht me rreth 200 miliardë dollarë, 65% më tepër se një vit më parë. Bursistët duken shumë të bindur: Facebook-u do të ketë një pjesë të rëndësishme në të ardhmen. Dhe nuk mund t’i keqkuptosh për këtë që thonë: vitin e fundit, fitimi i pronarit të rrjetit më të madh social ishte rreth tre miliardë dollarë: me reklama. Me reklama të personalizuara. Të orientuara qartë te cilësitë vetjake të përdoruesve- ashtu si i llogarisin ato algoritmet e Facebook-ut. Ato janë sekrete. Po sa mund të mësosh për një njeri, vetëm nga klikimi që ai i bën butonit “Like”, këtë e publikuan në mes të janarit shkencëtarët e universiteteve Stanford dhe Cambridge.
Likes zbulojnë personalitetin
Ekipi amerikano-britanik ka zhvilluar një algoritëm, i cili pasi analizon 100 deri 150 “Likes” arrin në informacione më të sakta për karakterin e një njeriu se sa bashkëshorti apo bashkëshortja e atij personi. Dhe Facebook-u nuk njeh vetëm “Likes” tonat: ne postojmë lajme, fotografi, transmetojmë mesazhe, pasione, interesa. Gati 900 milionë përdorues kujdesen që me përdorimin e përditshëm profilet të jenë gjithmonë aktuale, rreth 1,4 miliardë janë një herë në muaj aktiv në Facebook. Lakminë për të dhëna të Facebook-ut nuk e kënaq dot as kjo rrjedhë e majme me informacione personale. Tani te Facebook-u po hyjnë në fuqi rregulla të reja të biznesit. E reja kryesore: në të ardhmen Facebook-u kërkon të dijë se ç’bëjnë përdoruesit e tij edhe jashtë Facebook-ut. Dhe Facebook-u kërkon të dijë edhe se ku ndodhemi ne në një moment në jetën reale. Në fund të fundit, një e katërta e përdoruesve i përdor me smartfon shërbimet e Facebook-ut. Dhe çfarë tjetër mund të sillte më shumë sukses për Facebook-un se sa vërshimi i reklamave nga firmat përreth vendit ku ndodhemi?
“Ha ose vdis”
Madje edhe Bundestagu u mor me rregullat e reja. Në Komisionin Juridik deputetë dhe specialistë të të dhënave e kritikuan Facebook-un për mënyrën si i përdor të dhënat e përdoruesve. Por në të kaluarën Facebook-u e ka bërë veshin shurdh ndaj kritikave të tilla – njësoj si edhe Google dhe kompani. Gjigantët e internetit janë mësuar që t’i përcaktojnë vetë rregullat për botën digjitale.
E vetmja alternativë që i mbetet përdoruesit: largimi nga Facebook-u. Po këtë do ta bëjnë shumë pak. Sa më gjatë që ka qenë dikush në këtë rrjet, sa më shumë fotografi që ka postuar atje, aq më pak do të ketë dëshirë të largohet prej atje.
Matthias von Hein
http://dw.de/p/1ETXo