Tentojnë t'ia ulin zërin ezanit nëpër xhamiat e Prizrenit

Çështja e rregullimit të volumit të ezanit ka përplasur ashpër Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit dhe kuvendarin e LDD-së, Lulzim Kabashi. Ky i fundit ka shfrytëzuar seancën e KK-së për të reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Bashkësia Islame e Prizrenit, që pati shprehur shqetësimin në lidhje me kërkesën e Lulzim Kabashit për kontrollin e akustikës së altoparlantëve të vendosur në minaret e xhamive të Prizrenit.

Qëllimet e Këshillit të Bashkësisë Islame, Kabashi i ka quajtur histerike dhe që kinse nuk përkojnë me misionin e këtij institucioni të respektuar fetar.

“Nuk kam kërkuar dhe as që po kërkoj të ndalet ezani, por kam kërkuar dhe kërkoj që të rregullohet intensiteti i zërit në decibelët e lejuar me ligj dhe të pranueshëm për vesh, si dhe sinkronizimi i zërit të ezanit në mes të xhamive të cilat janë afër njëra tjetrës, që të mos interferojnë me njëra-tjetrën”, ka thënë Kabashi para këshilltarëve të KK-së. Ai ka theksuar se individët brenda KBI-së së Prizrenit është dashur që të konsultojnë rregulloret e vendeve të shenjta islame para se ta akuzonin atë për ‘deklarata monstruoze’ kundër ezanit. Kabashi ka bërë të ditur se me Fetvanë e Këshillit të Përhershëm të Dijetarëve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, është rregulluar sinkronizimi i ezanit ngase përzierja e thirrjeve të ezanit nga disa burime shkakton ndjenjë të keqe dhe se volumi është i caktuar me matje të sakta, ndërkohë që altoparlantët përdoren vetëm për ezan dhe jo edhe për transmetim të ligjëratave fetare.

“Këto vendime që janë praktikë edhe në shumë vende tjera myslimane, janë vendosur për arsye të konsideratës ndaj të sëmurëve, foshnjave, pleqve dhe të tjerët, ku secili zë i tepërt i pengon seriozisht, por mbi të gjitha për të mbrojtur parimin Kuranor se askush nuk duhet ta teprojë në promovimin e mesazhit hyjnor”, ka deklaruar Kabashi.

Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit kohë më parë pati vlerësuar se “deklarimet monstruoze të kuvendarit Kabashi nuk janë të drejtuara kundër zërit të lartë të ezanit, por kundër vetë ezanit”.

“Të gjithë e dinë se ky ezan i ka dhënë emër dhe nder këtij vendi. I ka dhënë veçanti Prizrenit, qytetit tonë të dashur dhe të njohur ndër popuj dhe kombe. Thirrja e ezanit pesë herë në ditë është thirrje e pesëfishtë për vepra të mira. E, ata që çohen kundër tij, siç ka ndodhur nga kuvendari Lulzim Kabashi janë ngritur kundër vlerave të demokracisë”, thuhej në deklaratën e KBI-së. Aty kërkohej nga LDD-ja që të distancohet nga deklaratat e Kabashit dhe shprehej keqardhje se në KK-në e Prizrenit ka njerëz me ide të këtilla.

Por Kabashi ka shprehur bindjen se shprehja ‘monstruoz’, fundërrinë e së kaluarës dhe etiketime tjera nuk përkojnë me frymën e misionin e Bashkësisë Islame. “BIK-u si institucion fetar duhet të jetë transmetues i harmonisë, bindjes, paqes, ndihmës, bashkëpunimit dhe tolerancës. A i ka arritur BIK-u këto me deklaratat e veta? Jo përkundrazi, më ka irrituar dhe rritur shqetësimin për joprofesionalizimin dhe jodevotshmërinë në reflektimin e virtyteve të vërteta që islami bart në vetvete, duke reaguar në formë inkuizicioni në mbylljen e gojëve kundër çdo mendimi ndryshe…”, ka thënë Kabashi. Ai ka përkujtuar të pranishmit se është ish-luftëtar i UÇK-së dhe qytetar me integritet që ka guxim për të hapur debate për çështje të ndjeshme për hir të interesit të qytetarëve. Po ashtu ka përsëritur qëndrimin se qëndron prapa kërkesës për rregullimin e volumit dhe sinkronizimin e ezanit, ndërkohë që pret kërkim falje nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren.

Në përkrahje të Kabashit të enjten janë vënë edhe këshilltarë të tjerë të KK-së së Prizrenit, teksa kanë shqyrtuar propozim-vendimin për ndarjen e një trualli për ndërtimin e xhamisë në fshatin Petrovë. Fatmir Kastrati i AAK-së ka vlerësuar se mënyra e komunikimit të KBI-së së Prizrenit me opinionin është fyese. “Lus Bashkësinë Islame që të kenë kujdes dhe t’i respektojnë mendimet dhe shqetësimet e kuvendarëve të Prizrenit, sepse ata janë zgjedhur nga populli për të përfaqësuar interesat e tyre. Këtu nuk është kërkuar asgjë pos që kjo çështje të rregullohet mbi baza ligjore”, ka thënë Kastrati. Edhe kryesuesi i KK-së, Nijazi Kryeziu, ka apeluar që KBI-ja e Prizrenit të jetë më e kujdesshme në deklaratat publike dhe ka bërë të ditur se do të iniciojë procedurën për hartimin e një rregulloreje përkatëse ku edhe KBI-ja do të ishte pjesë e debatit, shkruan sot “Koha Ditore”./kohaislame

Artikulli paraprakDino Asanaj u vetëvra, dyshohet se u shantazhua
Artikulli vijuesZBULOHET FABRIKA E FALSIFIKIMIT TË PARAVE