Familja e nxënësit musliman të “orës bombë”, ngre padi ndaj shkollës në Texas

Familja e të nxënësi musliman adoleshent i cili u arrestua vitin e kaluar për shkak se kishte sjellë në shkollë një orë të punuar me dorë, për të cilën u mendua se ishte një bombë, ka ngritur padi kundër zyrtarëve të shkollës në Texas, me arsyetimin se i janë shkelur të drejtat e tij civile.

Pas incidenteve me orën, siç është thënë, kanë pasuar kërcënimet me vdekje, duke detyruar kështu familjen të braktisë SHBA.

Ahmed Mohamed,14 vjeç, biri i një emigrati sudanez, i cili qysh nga momenti i arritjes në qytetin Irvin të Teksasit ishte viktimë e keqtrajtimit, për të krijuar lidhje dhe për të impresionuar mësuesit dhe rrethin e tij, solli vitin e kaluar një orë digjitale në shkollë, të cilën e kishte punuar vetë në shtëpi.

Mësuesi i gjuhës angleze ia mori orën, dhe disa orë më vonë Mohamed u arrestua, pasi ora u përshkrua si “bombë e rrejshme”.

Avokatja Susan Hutchinson, tha se familjes nuk i është kërkuar falje ndonjëherë dhe I është refuzuar kërkesa paraprake për 15 milion dollarë dëmshpërblim.

Ahmed, në konferencën për gazetarë ka treguar se si ora është punuar prej një kutie plastike për lapsa dhe telave elektrike.

Policia hodhi poshtë akuzën kundër të riut, edhe pse ai ishte pezulluar nga shkolla për tri ditë, në të cilën në fakt nuk është kthyer kurrë më, njofton AP.

Për shkak të këtij incidenti, adoleshenti ka qenë në qendër të vëmendjes, madje u ftua edhe nga presidenti Obama për vizitë në Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti i Drejtësisë ka nisur një hetim i cili ende vazhdon.

Familja e Ahmed Mohamed është detyruar të zhvendoset në Katar për mundësi më të mira edukimi, ku tashmë ai ndjek mësimet në një shkollë private.

Ahmed tashmë është i popullarizuar dhe ka 100,000 ndjekës në Twitter.

“Unë vërtetë e dua Amerikën. Është shtëpia ime. Por nuk munda të qëndroj. Është një realitet vërtetë i hidhur”, tha ai para gazetarëve. /tesheshi

Artikulli paraprakQeveria e re: Vuçiq zbaton urdhrat e Putinit, mban dy ministrat kyç filorusë
Artikulli vijuesPolicët serbë ia plaçkitin miliona euro diasporës