Një mosmarrëveshje disa vjeçare që dyshohet se ka të bëjë me një obligim financiar përfundoi me shkrepje të plumbit, mbi Islam Selimin (vëllain e deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit), mbrëmë rreth orës 20:00 në oborrin e shtëpisë së Xhevat Nuhës, në Komoran.
Djali i Xhevatit, Gjergji thotë se gjithçka ndodhi në vetëmbrojtje. Ai tha se prindi i tij do t’i sqarojë detajet tjera. Ndërkohë, Islam Selimi është liruar në shtëpi pasi është trajtuar në QKUK.
Islam Selimi i kishte shkuar Xhevat Nuhës në shtëpi. Aty edhe kishte filluar përleshja fizike, ku më pas Selimi që është vëllai i deputetit të VV-së, e kishte goditur Nuhën me shipkë të hekurit. Ky i fundit ka shkrepur me armë zjarri duke e lënë të plagosur Islamin. Këtë shpjegim e ka dhënë djali i Xhevat Nuhës, teksa ka sqaruar plagosjen që ndodhi të premten mbrëma.
“ Islami ka ardhur te shtëpia, ka pasë përleshje fizike. Në oborrin tonë ka ndodhë ngjarja. I ka rënë babës me shipkë të hekurit. Ka reaguar në vetëmbrojtje”, ka thënë Gjergj Nuha.
Në gjithë këtë situatë, Gjergji thotë se nuk mund të flasë për detaje të tjera të rastit pasi është këshilluar nga familjarët dhe hetuesia. Krejt këto sipas tij do të sqarohen nga vetë Xhevat Nuha.
“Nuk po kam qejf me tensionu situatën, se boll është tensionu”, thotë Gjergj Nuha.
Edhe pse Xhevat Nuha shtiu me armë zjarri në kraharorin e djathtë të Islam Selimit, ky i fundit ndihmën e parë e mori nga familjarët e Nuhës, më pas u dërgua në spital.
Gjendja e Islam Selimit është jashtë rrezikut për jetë dhe se i njëjti është liruar nga QKUK-ja.
Express mëson se Xhevat Nuha në vazhdimësi ka marrë mesazhe kërcënuese nga vëllai i Rexhep Selimit, Islami. Ndërkohë, burime brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se motivet e para për sulmin kanë ardhur për shkak se viktima dhe i plagosuri kishin probleme financiare.
Të njejtat burime motivin e plagosjes, obligimin financiar e quajnë haraç.
Në një deklaratë për media, Rexhep Selimi ka njoftuar se gjendja shëndetësore e vëllait është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Policia e Kosovës e ka arrestuar Xhevat Nuhën derisa rastin e ka klasifikuar si tentim vrasje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar pasi që i njëjti ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull shqiptar. Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore”, thuhet në njoftimin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Familjarët e Nuhës thonë se shumë shpejt gjithçka do të sqarohet me fakte, ndërsa lidhur me rastin ata kanë angazhuar edhe një avokat.
Ata konsiderojnë se nuk janë fajtorë mirëpo thonë për Islam Selimin se ka pushtet dhe e njohin të gjithë.
Islam Selimi është biznesmen dhe jeton në Prishtinë.