Familjarët e viktimave: Specialja të merret me përgjegjësit e masakrave [doc]

0
564

Në Kuvendin e Kosovës kanë arritur kërkesa të shumta prej familjarëve të civilëve të masakruar në masakra të ndryshme nga regjimi serb në Kosovë.

Familjarët e martirëve, në mënyrë të organizuar, kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta ndryshojnë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke mundësuar që kjo gjykatë të merret edhe me përgjegjësit e krimeve serbe, si dhe ta kushtëzojnë dialogun me Serbinë, deri sa Serbia të bashkëpunojë me Gjykatën Speciale për krimet që paramilitarët dhe ushtria serbe i kanë kryer në Kosovë.

KP ka siguruar disa prej këtyre letrave, por kërkesa të ngjashme për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale kanë bërë edhe familjarët e të masakruarve të familjes Delijaj në Abri, ata të masakrës së Rezallës, të masakrës së Reçakut, të masakrës së Hallaqit dhe shumë masakrave të tjera të kryera në Kosovë nga forcat paramilitare dhe ushtria e Serbisë.

Këto kërkesa i drejtohen kryeparlamentarit Veseli dhe Kuvendit të Kosovës, por aty përfshihen edhe krerët e shtetit, presidenti Thaçi dhe kryeministri Mustafa.

Familjarët e viktimave të regjimit serb në Kosovë shprehen të zhgënjyer me UNMIK-un dhe EULEX-in dhe thonë se u janë shuar shpresat se ndonjëherë do të vihet drejtësia për familjarët e tyre të vrarë dhe masakruar nga forcat serbe.

“Institucionet tona deri më sot kanë neglizhuar me këtë çështje, për krimet e bëra nga aparati serb. Deri tash nuk u ngritën zërat as nga presidenti z. Thaçi, as nga kryeministri z. Mustafa. Parlamenti votoi Specialen për ndjekjen e çlirimtarëve dhe të masakruarit e popullit të vet i kujton në heshtje. Në heshtje 18 vjet i kaluan edhe partitë politike për krimet e bëra në Kosovë, por heshtja juaj po na vret”, thuhet ndër të tjera në disa prej këtyre letrave.

Kërkesa e parë e tyre për Kuvendin e Kosovës është që ta ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke mundësuar që përgjegjësit e strukturave të Serbisë për këto masakra dhe masakrat e tjera të kryera në Kosovë të gjykohen në Gjykatën Speciale.

Kërkesa e dytë i adresohet kryeparlamentarit Veseli dhe prej tij kërkohet që ta inicioj dhe t’i përfshijë në rendin e ditës këto kërkesa të tyre për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke i hedhur në votim në Kuvendin e Kosovës.

Kurse, kërkesa e tretë i adresohet sërish Kuvendit të Kosovës dhe kërkohet prej deputetëve që të marrin vendim detyrues dhe ta kushtëzojnë dialogun me Serbinë, deri sa Serbia të pranojë që të bashkëpunojë me Gjykatën Speciale për Kosovën dhe t’i dërgojë përgjegjësit serbë të masakrave gjatë luftës 1998-1999 para drejtësisë po në këtë gjykatë.

Para disa javësh, me kërkesa përafërsisht të ngjashme, në mjetet e informimit kishte qarkulluar edhe një letër publike e shoqatës “Familja dhe Shpresa” nga Klina lidhur me Gjykatën Speciale për Kosovën.

Kuvendi i Kosovës e ka themeluar Gjykatën Speciale për të dëshmuar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe që Kosova nuk ka kryer krime.

Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe autoritetet kanë paraparë edhe mbrojtje dhe mbështetje për të gjithë ata që do të akuzohen.

Image