Refugjatët kanë braktisur fshatrat e tyre për shkak të luftimeve në rritje në qytetin Bambari në Republikën e Afrikës Qendrore
Refugjatët që kanë ikur në Çad për shkak të incidenteve të dhunës dhe luftimeve në Republikën e Afrikës Qendrore (CAR), përpiqen të mbijetojnë në kushte të vështira, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të Komisariatit të Lartë për Refugjatë pranë Kombeve të Bashkuara (UNHCR), rreth 3.500 refugjatë nga CAR, prej të cilëve 800 janë fëmijë, janë strehuar në kampin e qytetit Gore që gjendet në rajonin Logone në jug të shtetit fqinj, Çad.
Refugjatët kanë braktisur fshatrat e tyre për shkak të luftimeve në rritje në qytetin Bambari në pjesën qendrore të CAR-it mes Rezistencës së Afrikës Qendrore (FPRC) të drejtuar nga Nureddine Adam që vepron nën ish-grupin e armatosur Seleka, dhe milicëve të Unionit për Paqe në CAR (UPC) të drejtuar nga Ali Ndarass.
Më të prekurit nga mjedisi jostabil në vend janë fëmijët.
Përfaqësuesi i UHCRS-së në Gore, Masdongar Elie, për AA tha se afër 100 fëmijë që kanë ardhur në Çad pa prindër kanë qenë të uritur dhe të etur kur kanë ardhur në kamp, teksa disa prej tyre kanë ecur me kilometra për të arritur aty.
Duke tërhequr vëmendjen se furnizimet ushqimore janë të pamjaftueshme në kamp, Elie i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta mbështesë UNHCR-në.
“Dua të kthehem në shtëpinë time”
Refugjatja tetëvjeçare Maimuna, tregon se është ndarë nga familja e saj për shkak të një grupi të armatosur. “Teksa po braktisnim fshatin për shkak të incidenteve të dhunës, humba nënë dhe babain në turmë. Personat që i njihja më ndihmuan dhe hipëm në autobus për të ardhur në Çad. Këtu nuk njoh askënd. Duka të kthehem në shtëpinë time. Kam mall për familjen time”, thotë Maimuna.
Ndërkaq, sociologu Cedubum Medard shprehet se është e nevojshme që të sigurohet mbështetje në mënyrë që fëmijët në kamp të përshtaten me jetën sociale.
“Nëse këta fëmijë kanë dokumente zyrtare, atëherë do të konsiderohen pa shtetësi, njëlloj siç ndodh me fëmijët sudanezë që erdhën nga Darfuri. Fëmijët sudanezë nuk njihen si shtetas në vendet ku kanë shkuar për shkak se nuk posedojnë dokumente zyrtare. Zyrtarët e Çadit duhet të marrin leksion nga kjo dhe sa më parë duhet të marrë masa”, tha Medard.
Sipas të dhënave zyrtare, qeveria e Çadit shpenzon 80 deri në 120 milionë dollarë në vit nga buxheti për t’u ndihmuar refugjatëve.
Çad strehon mbi 50 mijë refugjatë të ardhur nga CAR në periudhën mes vitit 2014 dhe 2017, më shumë se gjysma e të cilëve janë gra dhe fëmijë.