Njoftohet se forcat e Esadit kanë shtuar përqendrimet përreth Halepit dhe vazhdojnë ta bombardojnë qytetin nga ajri dhe toka.
Lagja Selahadin është përballur me bombardimet më të rënda që nga 20 korriku e këtej.
Nga ana tjetër mes forcave të Esadit dhe pjesëtarëve të Ushtrisë për Sirinë e Lirë po përjetohen përleshje të ashpra nëpër rrugicat e qytetit.
Mësohet se para sulmit që kanë në plan të bëjnë forcat e Esadit për të marrë kontrollin e qytetit janë përqendruar në zonë 20 mijë ushtarë.
Luftime të fuqishme ka edhe në shumë lagje të kryeqytetit të vendit, Damask.
Forcat e Esadit kanë njoftuar se kanë marrë kontrollin e lagjes Tadum.
Gazetarët që janë dërguar në lagje dëshmojnë për gjurmë të luftimeve të ashpra.
Ndërkohë bëhet e ditur se Irani ka kërkuar ndihmë nga Turqia dhe Katari për lirimin e shtetasve iranianë që janë rrëmbyer afër Damaskut.
Kurse Ushtria për Sirinë e Lirë pretendon se iranianët në fjalë janë gardistë revolucionarë dhe ka publikuar edhe një video me pamjet e iranianëve.
Kriza e Sirisë vazhdon të jetë në krye të agjendës së bashkësisë ndërkombëtare.
Mësohet se Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, në 11 gusht do të vizitojë Turqinë për të biseduar çështjen e Sirisë./trt/kohaislame