Fshirja e regjistrimeve filmike të sulmit të Nicës përplas policinë franceze me autoritetet vendore: pikëpyetje mbi kërkesën

Më 14 korrik, një kamion vrau mbi 80 persona në Nicë, duke u turrur mbi ta teksa po festonin Ditën e Bastijës. Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, i lindur në Tunizi dhe i njohur si njeri problematik, u deklarua si autori i masakrës.

Akti vrasës u mor përsipër nga ISIS-i, edhe pse ende nuk ka prova të forta të lidhjeve të autorit me të.

Që prej asaj nate ka patur debate mbi atë se në çfarë shkalle ka qenë niveli i sigurisë në vendngjarjen në Nicë, e ç’numër policësh ka patur aty. E sikur të mos mjaftonte kjo, departamenti i antiterrorit në policinë franceze u ka kërkuar autoriteteve vendore të Nicës që t’i fshijnë të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë arritur ta filmojnë ngjarjen e asaaj nate.

“Fshijini regjistrimet mes orës 22:30 të datës 14 korrik 2016 dhe 18:00 të datës 15 korrik 2016,” thuhet në dokumentin e policisë franceze, kopjen e të cilit arriti ta siguronte Le Figaro.

“Shpërndarja e pakontrolluar e imazheve të krimit”, është, sipas policisë franceze, arsyeja e një kërkese të tillë.

Dokumenti shton se policia e prokurorët e kërkojnë shkatërrimin e imazheve të sulmit për të ruajtur dinjitetin e viktimave, e për të mos u përdorur nga xhihadistët për qëllime propagandistike.

Një kërkesë që nuk duket fort bindëse kur mëson se administruesit e qytetit ndeshen për herë të parë me diçka të tillë.

Një burim pranë autoriteteve të qytetit ka deklaruar: “Kjo është hera e parë që na është kërkuar të shkatërrojmë dëshmi [nga sulmi].”

“Departamenti i kamerave të sigurisë dhe qyteti i Nicës mund të procedohen për këtë, dhe funksionarët përgjegjës nuk kanë juridiksionin për t’u përfshirë në operacione të tilla [për të fshirë materiale]”.

Dhe kështu, autoritetet vendore nuk kanë pranuar ta çojnë në fund urdhrin e antiterrorit francez.

Një gazetë lokale, Nice-Matin, ka bërë të ditur se avokatët që punojnë për autoritetet e qytetit kanë kërkuar nga zyra e prokurorisë lokale që materialet filmike të kamerave të sigurisë të sekuestrohen, duke e shmangur kësisoj mundësinë e shkatërrimit të tyre.

Çka po ngjet aktualisht tregon për mospajtimin që ekziston midis autoriteteve lokale dhe qendrore pas sulmit me kamion të më shumë se një jave më parë.

Një sulm për të cilin ka ende shumë pikëpyetje, që presin medoemos përgjigje. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakNë Shkup falet namazi i xhenazes në mungesë për dëshmorët e Turqisë
Artikulli vijuesKarikatura e cila po bën bujë në rrjete sociale (FOTO)