Gazetari Zoran Bozhinovski sot në mëngjes u paraqit para gjykatësit hetues në Gjykatën Themelore Shkup 1, pasi që javën e kaluar u ekstradua nga Serbia për rastin “Spiuni” , transmeton “Lajm”.
Nga burgu hetues “Shutka” , ku është vendosur në pjesën e ashtuquajtur “qelitë e rasteve të Hagës” (të parapara për vendosjen e ish pjesëtarëve të UÇK-së që duhej të dënohen në të ashtuquajturat “Katër rastet e Tribunalit të Hagës”), Bozhinovski u soll në gjykatë i përcjellë me sigurim të madh policor, ku përveç policëve të burgut kishte edhe policë të armatosur dhe me maska.
Takimi te gjykatësi ka zgjatur pak kohë, sepse Zoran Bozhinovski, sipas informacioneve të portalit Svedok, ka kërkuar kohë shtesë që të prononcohet lidhur me akuzën.