Mijëra refugjatë nga Siria të cilët për shkak të tmerreve të luftës u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre dhe të cilët tani jetojnë në kampet e refugjatëve në zonën kufitare turko-siriane, praktikisht janë duke luftuar për mbijetesë, ndërkohë që jeta është më e vështirë për fëmijët, gratë dhe të moshuarit, raporton Anadolu Agency (AA). Për t’ju lehtësuar sadopak vuajtjen, fondacioni humanitar IHH çdo ditë ndanë ushqime të ngrohta për 120 mijë sirianë të cilët jetojnë në tenda të improvizura. Vëmendje të veçante tërheqin fëmijët e shumtë të cilët pa këpucë dhe me rroba të vjetra e të pamjaftueshme presin në radhët e gjata për të marrë një tas me supë. Burak Karacaoglu, zëdhënësi i IHH-së, për zonën e qytetit kufitar turk Hatayj, në një intervistë për AA theksoi se janë duke u përpjekur për të siguruar ushqim të mjaftueshëm për refugjatët sirianë. Ai shton se në organizim të IHH-së kanë filluar rregullisht të përgatisin dhe të ndajnë supë të ngrohtë për 120 mijë sirianë të cilët jetojnë në disa kampe duke përfshirë kampin “Atme” i cili ndodhet përballë vendit Reyhanli në afërsi të qytetit turk Hatay. “Vazhdojmë t’ju vijmë në ndihmë refugjatëve sirianë. Me ardhjen e ditëve të ftohta kemi filluar të ndajmë supë të ngrohta për refugjatët. Jemi të kënaqur pasi në këto kampe mund të sigurojmë të paktën ushqimin e ngrohtë dhe me këtë do të vazhdojmë edhe muajin e ardhshëm”, ka thënë Karacaoglu. Ai përmend se në kampin “Atme”, por edhe në kampet e tjera refugjatësh supës më së shumti i gëzohen fëmijët. Të shumtë prej tyre në mënyrë që të marrin një tas me supë presin të zbathur në baltë para vendit ku ndahet ushqimi. Pavarësisht të gjitha vuajtjeve dhe vështirësive të jetës, pasi që marrin supën e ngrohtë, në rrugën drejt tendave shkojnë deri diku me fytyra të buzëqeshura.