Shteti i Kosovës gjatë këtij viti pritet të bëhet me ligjin për Pagat, ndërsa sipas zyrtarëve të Qeverisë ky ligj pritet ta stabilizojë sistemin e pagave për shërbyesit civil.
Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, e ka konfirmuar për Telegrafi.com, se Ligji për paga është në procedurë dhe pritet që të miratohet gjatë këtij viti.“Është në procedurë dhe është duke u punuar në të.
Shpresojmë që gjatë të këtij viti të përfundojë dhe të aprovohet. Sivjet duhet të miratohet ky Ligj që të stabilizohet sistemi i pagave që mos të kemi probleme me sistemin e pagave”, tha Gashi.
Sipas tij, me këtë Ligji sektori publik pritet të ketë një sistem të pagave, e jo të ketë dallime për pozitat e njëjta.“Sektori publik pritet të gradohet me nivelet e njëjta dhe të ketë një sistem të pagave, i cili do të jetë si në shtetet e tjera, e jo të ketë diferenca prej një sektori në sektor, prej ndërmarrjes në ndërmarrje dhe prej pozitës në pozitë. Ka diferenca të papranueshme dhe për këtë arsye pritet të bëhet unik dhe të gjithë ata persona që kanë përgjegjësi dhe detyra të njëjta, siç janë fillimet e pozitës së punës dhe pastaj me performancën mund të kenë diferenca apo bonuse”, tha zëvendësministri Gashi.
Sipas tij, Ligji për Pagat mund të sjell një kosto buxhetore, mirëpo mos ndarja e barabartë e të ardhurave për punën që bëhet është një shkelje e të drejtave të njeriut.“Mund të ketë rritje buxhetore, mirëpo kjo rritje, në qoftë se ka rritje, kjo e arsyeton vetën për arsye se e bënë ndarjen e barabartë, sepse mos ndarja e barabartë e të ardhurave për punën që bëhet është një shkelje e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye nuk është me rëndësi kostoja, por ka rëndësi të funksionoj sistemi dhe të bëhet i barabartë për të gjithë për punën që e kryejnë”, pohoi Gashi.
Qeveria e Kosovës edhe në ‘Kornizë Afatmesme e Shpenzimeve 2018-2020’ e ka paraparë këtë ligjNë Kornizën afatmesme të shpenzimeve shkruan se Qeveria është e përkushtuar të përcjellë një politikë të matur të punësimit dhe pagave, politikë kjo të cilën synon ta rregullojë përmes vendosjes së një kornize ligjore, siç është Ligji për Paga, duke kufizuar punësimin në atë shkallë që është e nevojshme për ofrimin e të mirave dhe shërbimeve publike.
Aty shkruan po ashtu se Qeveria ka prezantuar edhe një mekanizëm të bazuar në rregulla ku specifikohet se rritja e faturës së pagave të sektorit publik lidhet me rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto nominal që ka për qëllim ndërlidhjen më të mirë të rritjes së pagave të sektorit publik me produktivitetin.“Rregulli për pagat në sektorin publik, i aprovuar në fillim të vitit 2016 nga Kuvendi përmes ndryshimit të Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe menaxhim të kujdesshëm të punësimit në sektorin publik janë masa që pritet të kontribuojnë në reduktimin e shpenzimeve rrjedhëse dhe suksesin e konsolidimit fiskal”, shkruan në kornizën për shpenzimet afatmesme.
Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, në një intervistë për Telegrafi ka thënë se Ligji për Paga është i rëndësishëm për faktin se do t’i harmonizojë pagat.“Ekziston në laramani për punën e njëjtë ka paga të ndryshme, duhet të studiohen ato, të bëhet përshkrimi i punëve, kualifikimi dhe të bëhet harmonizimi i pagave në mënyrë që mos të merren lloj-lloj vendime për pagat”, ka thënë Mustafa.
Sipas të dhënave për nivelin e pagave, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në fund të vitit 2016, paga bruto në sektorin privat ishte 371 euro, ndërsa në atë publik ky nivel i pagës është 525 euro.Diferenca e pagës mesatare në sektorin privat dhe në atë publik ishte e vogël deri në vitin 2013. Pagat në sektorin publik u rritën në 2014 dhe 2015.