Policia arreston dy persona të dyshuar për sulmin ndaj Vllasit

Polica e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona si të dyshuar për tentim-vrasjen ndaj avokatit Azem Vllasi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka theksuar se në bashkëpunim në ngushtë më Agjencinë Kosovare të Inteligjencës kanë kryer hetimet për këtë rast.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI kanë arritur që ta bëjnë lokalizimin e personave të dyshuar. M.J viti i lindjes dyshohet që është kryerësi i kësaj vepre dhe personi i dytë A.LL viti i lindjes 1964, dyshohet që është pjesëmarrës në këtë rast dhe janë duke u bërë hetime dhe intervistimi i tij”, ka thënë Kelani.

Personat janë arrestuar në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka shtuar Kelani, ka sekuestruar revolen që dyshohet se është përdorë në këtë rast dhe po ashtu, Policia ka bërë bastisjen e lokacioneve të ndryshme, duke përfshirë shtëpitë e të dyshuarve dhe kanë sekuestruar dokumentet e të dyshuarve dhe video incizimet.

Motivet, ka shtuar Kelani, ende nuk dihen, por sipas informacioneve nuk bëhet fjalë për ndonjë çështje që ndërlidhet me veprimtarinë që ka bërë Vllasi.

**Vllasi: U plagosa nga një atentator i porositur

Avokati Azem Vllasi i tha Radios Evropa e Lirë se “sulmuesi kishte një armë zjarri pa zhurmë dhe sipas karakteristikave ishte një atentator i porositur”.

Vllasi u plagos të hënën në mëngjes, nga një person, për të cilin policia është vënë në ndjekje.

Avokati Vllasi është shtrirë në QKUK në Prishtinë, por mjekët thonë se jeta e tij është jashtë rrezikut.

“Para orës 8 në mëngjes dikush i ra ziles. Dola. Një person mbante letra në dorë. Tha se kishte një problem pronësor. I thash se këto unë nuk i punoj dhe që të shkojë në rrugën përballë tek një tjetër avokat. A ka ardhur nga Gjermania apo e ka dërguar dikush, nuk e di. Kam hyrë të shkruaj në një copë letër numrin dhe t’ia japë. Kur kam dalë ai më ka sulmuar tek dera me një revole pa zhurmë, evidente i përgatitur, më ka sulmuar dhe më ka qëlluar në krah e pastaj iku”.

“Sipas të gjitha karakteristikave ai ishte një atentator i porositur. Pse dhe nga kush, hetimet do të tregojnë. Në bazë të punës sime profesionale, nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë problem me askë. Familja ime nuk ka problem dhe as kontest me asnjeri. Nuk e di se cka të mendoj dhe nuk dua të hamendësoj. Hetimet do të tregojnë cdo gjë”, tha Azem Vllasi për Radion Evropa e Lirë.

**Plagoset avokati Azem Vllasi

Avokati Azem Vllasi është plagosur me armë zjarri të hënën në mëngjes në hyrjen e banesës së tij në Prishtinë nga një person, tani për tani, i panjohur, kanë bërë të ditur zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësja rajonale e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se “sot në mëngjes është plagosur një person me inicialet A.V në zyren e tij”.

Fotografi nga vendi i ngjarjes

Avokati Vllasi është dërguar për mjekim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se avokati Vllasi është jashtë rrezikut për jetë.

Tani për tani nuk dihen motivet e sulmit me armë zjarri ndaj Vllasit.

Azem Vllasi, një ish-udhëheqës komunist në vitet e 80’ta, pas përfundimit të luftës në Kosovë nisi punën e avokatit.

Ai është i njohur edhe për analizat politike të situatës në vend dhe në Ballkan.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj avokatit, Azem Vllasi. Ata kanë kërkuar nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin rastin dhe aktorët të dalin para drejtësisë

“Rastet e tilla nuk janë rastësi, ato janë një paralajmërim i keq për fatin e drejtësisë dhe perspektivës evropiane. Por, pavarësisht kësaj, ne do të qëndrojmë dhe nuk do të dorëzohemi nga çfarëdo kërcënimi për të arritur synimet tona dhe gjeneratave që në të ardhmen të mbrojmë shtetin e së drejtës. Do e mbrojmë profesionin e avokatit, siç mbrohen në tërë botën e civilizuar e demokratike”, thuhet në një komunikatë për media të Odës së Avokatëve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në rrjetin social Facebook pas lajmit për plagosjen e avokatit Vllasi, duke e quajtur “akt të papranueshëm dhe të dënueshëm”. (REL)

Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar sulmin ndaj avokatit Azem Vllasi.

“Qeveria e Kosovës konsideron se veprime të tilla janë krejtësisht të papranueshme në një shoqëri demokratike. Qeveria e Kosovës, po ashtu, fton institucionet kompetente të rendit dhe drejtësisë që të vënë para përgjegjësisë kryesit e këtij akti kriminal”, thuhet në një njoftim të Qeverisë.

Artikulli paraprakIvanov refuzon t’i japë Zaevit mandatin, Parlamenti mund të mblidhet së shpejti
Artikulli vijuesBizneset dhe familjet, kredi deri në fyt