Në një autostradë në Bavari, policia gjermane ka gjetur një grup prej 19 refugjatësh, përfshirë pesë fëmijë me shenja të hipotermisë, pasi shoferi i kamionit në të cilin ndodheshin i kishte lënë ata në pjesën e pasme të automjetit, sigurisht pa ngrohje.
Njerëzit e pafat kanë kaluar aty disa orë, ndërkohë që temperatura po shënonte minus 20 gradë Celsius. Një zëdhënës i policisë, Rainer Scharf tha se refugjatët kanë kërkuar ndihmë nga njerëzit në një ndalesë në autostradë pranë Brannenburg, të cilët më pas kanë lajmëruar policinë.
Scharf ka thënë se refugjatët, të cilët kanë hipur në kamion në Itali, nuk kanë pasur dokumente, por ka saktësuar se vijnë nga Siria, Iraku dhe Irani.
Secili prej refugjatëve dhe emigrantëve u ka paguar kontrabandistëve shumën prej 500 deri 800 euro, ndërsa në Gjermani po vinin për të kërkuar azil, njoftoi AP. Emigrantët i kanë thënë policisë se kamioni kishte pasur probleme me motor, para se shoferi t’i braktisë ata.