Kanali televiziv gjerman, “ZDF”, ka kërkuar falje për emisionin me përmbajtje ofenduese në dëm të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Në Gjermani ka nisur procesi gjyqësor kundër drejtuesve të kanalit “ZDF” për një sërë akuzash të shëmtuara kundër Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një emisioni televiziv me përmbajtje ofenduese.
Prokuroria e Mainzit, ku ndodhet edhe selia e televizionit “ZDF” njoftoi se ka vendosur të marrë në shqyrtim rreth 20 denoncime.
Andrea Keller, kryeprokurore e Mainzit, theksoi se kjo çështje po hetohet me dyshimin për “ofendim kundër përfaqësuesve dhe organeve të një shtetit të huaj”
Me të njëjtin motiv, nën hetim është vendosur edhe prezantuesi, komediografi dhe humoristi gjerman, Jan Bohmermann, i cili kishte recituar një të ashtuquajtur vjershë, që titullohej “Schmahkritik” (kritikë tallëse), në emisionin e tij televiziv “Neo Magazin Royale”.
Sakaq, kanali televiziv gjerman, “ZDF”, ka kërkuar falje për emisionin me përmbajtje ofenduese në dëm të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
“Programi polemizues në fjalë është fshirë nga interneti dhe është eliminuar mundësia që ai të rishikohet”, theksohet në një komunikatë me shkrim të televizionit “ZDF”.
Komunikata sqaron se ky vendim erdhi pasi emisioni i drejtuar nga Jan Bohmermann nuk përmbush standardet dhe kërkesat e cilësisë së kanalit, ndërsa vijon me këto fjalë: “Ditën e hënë, drejtori i përgjithshëm i ZDF-së është takuar me ambasadorin e Turqisë në Berlin dhe ka shprehur keqardhjen e tij të sinqertë për indinjatën, që ky program ka shkaktuar tek spektatorët.”
Sipas nenit 103. të Kodit Penal të Gjermanisë, kundër ofendimit ndaj presidentit të një shteti të huaj mund të hapet gjyq duke kërkuar dënimin e të akuzuarit me tre vjet heqje lirie; ndërsa në rast se ky ofendim bëhet në mënyrë të vetëdijshme, atëherë dënimi me burg mund të shkojë deri në 5 vjet.