Gjermani: Pas protestave të PEGIDA-s sulmet ndaj të huajve rriten për 130 përqind

Pas protestave të Lëvizjes së Patriotëve Evropianë kundër Islamizimit të Perëndimit (PEGIDA), të cilat filluan në tetor të vitit të kaluar në Dresden, në Gjermani dukshëm është rritur numri i sulmeve ndaj të huajve, raporton Anadolu Agency (AA).

 

Pas protestave të PEGIDA-s numri i sulmeve ndaj të huajve të cilët jetojnë në Gjermani, është dyfishuar në krahasim me periudhën para protestave të kësaj organizate. 

 

Sipas një studimi të publikuar në televizionin gjerman “ARD”, para 20 tetorit, ditës kur filluan protestat e para të PEGIDA-s, në një periudhë tre mujore në Gjermani kundër azilantëve dhe imigrantëve janë kryer 33 sulme, ndërsa në periudhën tre mujore pas 20 tetorit, 76 sulme. 

 

Studimi është kryer në periudhën nga 20 korriku deri 19 nëntor, dhe nga 20 tetori deri 20 janar. 

 

Sipas këtij studimi, në periudhën tre mujore pas 20 tetorit, sulmet ndaj të huajve në Gjermani janë rritur për 130 përqind në krahasim me tre muaj para protestave të PEGIDA-s.

 

Profesori i Universitetit Freien në Berlin, Hajo Funke ka deklaruar se PEGIDA ka shkaktuar një atmosferë të volitshme për sulmet ndaj imigrantëve, veçanërisht ndaj muslimanëve. 

 

“Fakti që dhuna ndaj të huajve është rritur mbi 100 përqind është e turpshme për vendin tonë, por edhe për të gjithë ne”, konsideron ky profesor. 

 

Shoqata “Amadeu Antonio” dhe organizata jo-qeveritare “Pro Asyl” po ashtu kanë kryer një studim i cili tregon se në Gjermani në javë mesatarisht ndodhin pesë sulme raciste. 

 

Qytetarët me origjinë imigrante të cilët jetojnë në Dresden, për shkak të protestave të PEGIDA-s, ndjejnë frikë gjithnjë e më të madhe. 

 

Huseyin Taskın, me prejardhje nga Turqia i cili në Gjermani ka ardhur në vitin 1975, thekson se situata në qytet pas protestave të PEGIDA-s dukshëm ka ndryshuar. Përmend se madje edhe në vendet publike të huajt shikohen me dyshim.

Artikulli paraprakWikileaks: Google ua përcolli e-mail-et autoriteteve amerikane
Artikulli vijuesJordania e gatshme për këmbimin e pengjeve me ISIS