Gjermania: 'Asgjësoni' librin e Adolf Hitlerit, "Mein Kampf"

Ambasadorja e Gjermanisë, Karola Muller-Holtkemper, me anë të një letre dërguar shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, i ka kërkuar ‘asgjësimin’ brenda datës 6 korrik 2012 të të gjitha kopjeve të hedhura në treg të librit “Mein Kampf”, të diktatorit nazist, Adolf Hitler. Në rast të kundërt, Holtkemper ka paralajmëruar se, shteti i Bavarisë do të fillojë procesin gjyqësor ndaj kësaj shtëpie botuese. “Gazeta Shqiptare” boton sot të plotë, letrën e ambasadores gjermane dërguar “Helga’s Secrets”. LENDA: Kërkesë për nënshkrimin e një deklarate mosveprimi/ Botimi i librit të Hitlerit “Mein Kampf” në Shqipëri.

“Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj! Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë ka mësuar se Shtëpia Juaj botuese boton librin e Adolf Hitlerit, “Mein Kampf”, e prodhon dhe e hedh atë në treg, pa qenë e autorizuar për ta bërë këtë. Vetëm zotëruesi i të drejtave të autorit është i autorizuar të prodhojë dhe tregtojë ekzemplarët e “Mein Kampf”-it. Dhe ky është vetëm Shteti i Lirë i Bavarisë, të cilit i kaluan të drejtat e autorit pas Luftës së Dytë Botërore, bazuar në ligjin e pushtimit aleat. Ndaj, për këtë arsye, vetëm Shteti i Lirë i Bavarisë ka të drejtën për publikimin dhe shpërndarjen e “Mein Kampf”-it edhe në Shqipëri. Ministria e Jashtme Federale dhe Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë mbështesin Shtetin e Lirë të Bavarisë në zbatimin e të drejtave të tij. Në këtë mënyrë, nga njëra anë, duhet dhënë një sinjal kundër përmbajtjes së librit, dhe nga ana tjetër, të pengohet përhapja e ideologjisë nacional- socialiste. Në këtë kontekst, unë kërkoj prej Jush të ndaloni menjëherë prodhimin, ofrimin dhe shpërndarjen e ekzemplarëve të librit “Mein Kampf”. Më tej, kërkoj të nënshkruani deklaratën e mosveprimit dhënë bashkëngjitur dhe të ma dërgoni atë sërish mua. Për këtë qëllim unë kam vendosur afatin 6 KORRIK 2012. Pas kalimit të këtij afati unë do të njoftoj Shtetin e Lirë të Bavarisë për vijimin e shkeljes së të drejtave të autorit, duke u këshilluar të ndërmarrë rrugën ligjore në mbrojtje të të drejtave të autorit. Veç kësaj, sjell në vëmendjen Tuaj, se prodhimi dhe shpërndarja e papranueshme dhe e paligjshme e “Mein Kampf” nga shtëpia juaj botuese është objekt i konsultimeve të mia politike me Ministrinë e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.”
Me respekt, Carola Muller- Holtkemper./BS/kohaislame

Artikulli paraprakKabineti turk diskuton rrëzimin e avionit
Artikulli vijuesASHTON: BE E GATSHME PËR BASHKËPUNIM ME PRESIDENTIN EGJIPTIAN MORSI