Grekët po vetëvriten gjithnjë e më shumë – ja përse

Arsyet se përse dikush ia merr jetën edhe vetes, statistikat nuk e thonë. Megjithatë, një grup kërkuesish amerikanë i shohin shkaqet e numrit të lartë të vetëvrasjeve në shtetin helen, te kriza ekonomike. Dallim ka dhe mes meshkujve e femrave. Një porosi u jepet edhe mediave. Megjithatë, “ka shumë rrugë për të ngjallur sërish dëshirën për të jetuar, por mundësitë janë shpesh jo të njohura sa duhet”, sugjerojnë studiuesit

Papunësia, borxhet, shërbime sociale të reduktuara dhe humbje e banesës – për shumë njerëz në Greqi këto raporte qysh prej fillimit të politikave të kursimit në qershor 2011, tashmë janë bërë një realitet. Që prej asaj kohe, numri i vetëvrasjeve në vendin fqinj ka pësuar rritje të ndjeshme, raportojnë studiuesit amerikanë të grupuar rreth epidemiologut Charles Branas në Universitetin e Pensilvanisë.
“Megjithëse Greqia e parë në aspektin historik dëshmon njërën ndër përqindjet më të vogla të vetëvrasjeve në botë”, shkruajnë kërkuesit në revistën BMJ Open, zhvendosja ekonomike negative ose e thënë më shkoqur, “kriza globale financiare”, nuk ka ndikuar në asnjë vend tjetër europian më shumë sesa në Greqi.

Konkretisht, qysh nga qershori 2011, çdo muaj regjistrohen mesatarisht 11 vetë që marrin dhe e ekzekutojnë vendimin fatal për të vrarë veten, në krahasim me vitet e muajt e mëparshëm. Përqindja është rritur pra me 36 pikë, duke kapur një vlerë mesatare mujore tashmë prej 40 vetëvrasjesh.

Kërkuesit mblodhën të dhëna nga 30 vitet e shkuara. Mes viteve 1983 dhe 2012, ato shkonin në total në 11 505 vetë për Greqinë, si raste të dokumentuara vetëvrasjesh, e ndër ta me 9 079, thuajse tri herë më shumë burrat sesa gratë, nëse do ta shihnim në një raport gjinor.

Duket se asnjë ngjarje e fenomen tjetër sesa masat e ashpra të kursimeve, nuk i ka prekur më shumë grekët, duke ia nisur nga qershori 2011. Kurrë më parë përqindja e vetëvrasjeve qysh nga vitet 1980, nuk ka qenë më e lartë se tani.

Varfëria renditet si një ndër shkaktarët

Tek e fundit, këtë mund ta dëshmojë vetëm një argument statistikor. Por arsyen se përse pra në këto kohë “po ia heqin vetes” më shumë njerëz në Greqi, këtë megjithatë s’ta zbulojnë dot shifrat. Edhe arsyet shumë personale, se përse njerëzit gjenden në situata të tilla, të cilat ato vetë i përcaktojnë në fund si pa zgjidhje, nuk mund të përgjithësohen.

Ato shkojnë që nga përjetimet traumatike, përvojat e dhunshme, sëmundjet psikike, si depresioni, e deri te varësia nga droga dhe dhembjet kronike. Sidoqoftë, edhe raporti i parë ((Preventing Suicide, 2014) mbi situatën e vetëvrasjeve i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë pak a shumë se ekziston ndërkaq një lidhje mes situatës financiare dhe mendimeve apo tentativave për vetëvrasje.

Kështu, vlerësohet se janë më shumë se 800 000 njerëz që u vetëvranë gjatë vitit 2012 në mbarë botën. Tre të katërtat e të gjitha vetëvrasjeve u kryen në vende, në të cilat njerëzit fitojnë mesatarisht më pak para.

Në një krahasim ndërkombëtar, numri i vetëvrasjeve në Greqi është i vogël. Sipas vlerësimeve të OBSH-së, në Republikën Helene në vitin 2012 ishin më pak se pesë vetë ndër 100 000 banorë ata që vrisnin veten. Me përjashtim të Italisë, përqindjet e grekëve krahasuar me mbarë Europën, janë më të larta.

Për një analizë të detajuar të gjendjes së vetëvrasjeve aktualisht në Greqi, Charles Branas dhe kolegët e tij po mbajnë parasysh si periudhat e mira ekonomike, ashtu dhe ato të këqija.

Kështu, përqindja e vetëvrasjeve te meshkujt ra me 27 për qind të vlerës, kur Greqia në janar 2002 iu bashkua monedhës së përbashkët, euros.

Qysh nga fillimi i recesionit ekonomik në 2008-n, numri i tyre te ta u rrit me shpejtësi. Besohet se nga kriza u prekën më tepër meshkujt sesa femrat, ngaqë ata në më të shumtën e rasteve ishin të vetmit përfitues apo kontribuues të buxhetit familjar, thonë studiuesit.

Ata, për të përmbushur objektivat e studimit të tyre, përthithën jo vetëm statistika zyrtare greke, por kërkuan dhe analizuan edhe rastet e vdekjeve që janë regjistruar si aksidente dhe që me shumë gjasa mund të kenë qenë edhe vetëvrasje.

Mbi vetëvrasjet duhet raportuar me kujdes

Rezultatet e studimit të tyre treguan jo vetëm se cilat janë pasojat e krizës greke të borxheve mbi popullsinë, por edhe se sa e rëndësishme është të mbrosh më mirë me masa sociale njerëzit e rrezikuar nga kriza ekonomike. “Më shumë vëmendje duhej treguar edhe ndaj mënyrës se si shpërndahen masat e kursimeve”, shkruajnë studiuesit.

Mediave dhe politikanëve, sipas tyre, u kërkohet gjithashtu që të bëjnë raportime më të kujdesshme në lidhje me vetëvrasjet. Kështu, përqindja e vetëvrasjeve u rrit në prill 2012 në terma afatshkurtër me 30 për qind, pasi një pensionist në Athinë vrau veten demonstrativisht në një shesh publik të kryeqytetit.

Shtypi raportoi me detaje dhe e trajtoi emocionalisht rastin – aq sa madje u cituan edhe paragrafët e letrës së ndarjes nga jeta të burrit fatkeq.

Të tilla raportime janë të njohura për të mësuar se si sillen njerëzit në situata të vështira shpirtërore e emocionale me mendimet që kanë në kokë për vetëvrasjen. Në kësi rastesh, gjendjet e jashtëzakonshme psikike mund të trajtohen më së miri, si për burrat, ashtu dhe për gratë, të cilët nuk shohin më asnjë perspektivë, duke u ardhur konkretisht në ndihmë.

“Ka shumë rrugë për të ngjallur sërish dëshirën për të jetuar – por mundësitë janë shpesh jo të njohura sa duhet”, sugjerojnë studiuesit./kohaislame

Artikulli paraprakDemolli: FSK e gatshme të shndërrohet në FAK
Artikulli vijuesRusia “dërgon” 1 mijë e 500 trupa shtesë në Ukrainë