Grindje rreth bankës evropiane të të dhënave me gjurmët e gishtërinjve

SIpas Komisionit të BE-së autoritetet kombëtare do të kenë qasje në bankën Eurodac, ku arkivohen gjurmët e gishtërinjve të azilkërkuesve. Mbrojtësit e të dhënave: Plani një erozion i kamufluar ndaj të drejtave themelore.
Daktiloskopi është një fjalë e ndërlikuar, e cila vjen nga greqishtja e vjetër, e përbërë nga fjalët “gisht” dhe “këqyr”. Analizimi i gjurmëve të gishtërinjve është një metodë hetimi e sprovuar prej më shumë se 100 vjetësh, sepse çdo njeri mund të identifikohet qartazi me anë të vijëzave të lëkurës në duart dhe këmbët e tij.
Skedat me gjurmë gishtërinjsh ruhen si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel ndërkombëtar (edhe BE-ja ka një bankë të tillë të dhënash në kuadër të politikës së saj të azilit). Në sistemin daktiloskopik evropian “Eurodac” bëhet një krahasim për të konstatuar përputhje me gjurmët e gishtërinjve të azilkërkuesve dhe të imigrantëve të paligjshëm në mbarë Evropën. Banka e të dhënave u krijua në vitin 2000, në mënyrë që shtetet anëtare të verifikonin nëse një azilkërkues kishte kërkuar më parë strehim në një vend tjetër anëtar të BE-së dhe nëse përfitonte tashmë mbështetje sociale. Sipas së drejtës evropiane azilkërkuesit nuk lejohet të kërkojnë azil në disa vende, po vetëm në atë shtet të BE-së ku shkelin për herë të parë.

Mirëpo një bankë e tillë të dhënash ngjall dëshira: Po të jetë për Komisionin Evropian dhe për shtetet anëtare të BE-së, banka e të dhënave duhet të përdoret tani edhe për operacione hetimi të policisë. Propozimi i Komisionit parashikon që organet kombëtare të ndjekjes penale dhe enti policor evropian “Europol” duhet të kenë në të ardhmen qasje në të dhënat e Eurodac-ut. Në këto përpjekje Komisionit i bie erë e përkundërt nga mbrojtësit e të dhënave dhe nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat e kritikojnë në formën më të ashpër reformën e planifikuar.
Matja e gishtërinjve

“Vetëm për faktin që të dhënat janë mbledhur njëherë, ato nuk duhen përdorur për qëllim tjetër, sepse kjo do të kishte një efekt negativ të madh në jetën e individit”, mendon Peter Hustinx. I ngarkuari evropian për mbrojtjen e të dhënave druan se azilkërkuesit do të përjashtohen dhe stigmatizohen kur të zgjerohet qasja në të dhënat e tyre. Komisioni nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për këtë veprim në rastin e azilkërkuesve, thotë Hustinx. “Ndërkohë që azilkërkuesit potencialisht mund të identifikohen nëpërmjet Eurodac-ut, te personat e tjerë kjo gjë nuk është e mundur, sepse nuk ekzistojnë fonde përkatëse të dhënash për të gjitha grupet sociale”, kritikon Hustinx.
Komisioni për punë të brendshme i Parlamentit Evropian është shprehur për shfrytëzimin policor të Eurodac-ut (kundër votave të deputetëve të gjelbër atyre të majtë).

Artikulli paraprakArrihet marrëveshja për pagesat doganore, shkijet nuk paguajnë
Artikulli vijuesBB: Janë shtuar të varfërit