Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, në një pres-konferencë të jashtëzakonshme që u mbajt në Shkup, ka adresuar kritika të fuqishme në adresë të liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev.
Sipas tij lideri i LSDM-së po punon që në Maqedoni të përsëritet skenari i përgjakshëm i Ukrainës ku u vranë me mijëra qytetarë të pafajshëm.
Gruevski i bën thirrje LSDM-së dhe kryetarit të saj, Zaev, që të ndërpresë të gjitha veprimet destruktive të cilët i organizon gjatë ditëve të fundit me qëllim për të destabilizuar Maqedoninë.
“Nga partia LSDM dhe Zaev mund të dëgjoni vetëm agresion dhe thellim të krizës. Po ta dëgjoni Zaevin, ai I thotë vetëm dy fjali. Në fjalinë e parë çdoherë angazhohet për konstruktivitet, ndërsa në fjalinë e dytë menjëherë ai flet për skenaret e Ukrainës, ku humbën jetën mijëra njerëz.
Zaev këtë e bën vetëm për të arritur në pushtet. Mirëpo po i drejtohem tani Zaevit, se deri sa unë qëndroj në këmbë, asnjëherë nuk do të ia mundësoj këtë”, ka deklaruar mes tjerash ish kryeministri I Maqedonisë, Nikolla Gruevski duke shtuar se Zoran Zaev së bashku me organizatat jo qeveritare të financuara nga Sorosi po punojnë për ta destabilizuar Maqedoninë duke e nxitur gjuhën e urrejtjes.
Mirëpo sipas Gruevskit VMRO-DPMNE punon vazhdimisht dhe është e fokusuar për të punuar për të mirën e të gjithë qytetarëve., duke hapur vende të reja të punës. /Zhurnal