Hanan Abdulgafur, palestinezja që dëshiron të studiojë mjekësinë dhe t’u ndihmojë të plagosurve

Palestinezja Hanan Abdulgafur (19) të cilës i ishte rrënuar shtëpia si pasojë e goditjes me predha gjatë sulmeve të Izraelit në Gaza në korrik të vitit 2014 dhe e cila u nxorr nga gërmadhat, nuk u dorëzua nga jeta e saj arsimore edhe përkundër ditëve të vështira të përjetuara. Ajo u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë, fakultet ky që kishte qenë ëndërr e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Ajo ende ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme kur vendi në të cilën ajo jetonte me familjen në Han Junus u shënjestrua nga predhat izraelite. Hanan thotë se shtëpia e tyre ishte rrënuar dhe se ajo vetë kishte qëndruar mbi pesë minuta nën gërmadha.

Ndjenjat e saj në lidhje me qëndrimin nën gërmadha Hanan nga Gaza i përshkruan me fjalët: “Ishin çaste tmerruese, nuk dua madje as t’i kujtoj, dua t’i harroj tërësisht”, shprehet ajo.

Duke vënë në pah se pas sulmeve jeta e saj ka pësuar ndryshim të madh, Hanan tha se “Pas rrënimit të shtëpisë sonë, u detyruam të shpërngulemi disa herë. Para ngjarjes mësoja gjatë kohë në shtëpinë tonë modeste, ndërsa pas ngjarjes e kisha të pamundur t’i përkushtohem mësimeve”.

Hanan kishte jetuar me gjashtë anëtarët e familjes së saj në “shtëpinë” e improvizuar me mur dhe e mbuluar me gjethe dhe teneqe në hapësirën prej betoni të njërit prej familjarëve të tyre. Ajo u shpreh se as edhe një çast nuk ka hequr dorë nga mendimi dhe besimi nga zemra se arsimimi do të jetë faktor i rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së saj.

Më tej ajo shton se shkollën e mesme e ka mbaruar me notë shumë të mirë në nivel prej 98.1 përqind dhe se nuk mendon ndonjë fushë tjetër studimi pos Fakultetit të Mjekësisë.

“E dija se departamenti të cilin e dëshiroja është i shtrenjtë, me në krye pagesat për shkollë. Për shkak të kushteve materiale, për një kohë e humba shpresën për fakultetin për të cilin kisha ëndërruar me vite. Megjithatë, një bamirës më mundësoi bursë shkollimi që të mund të studioja në Fakultetin e Mjekësisë”, tregon palestinezja 19-vjeçe.

Kandidatja e re për mjeke nga Gaza nënvizoi se ëndrra e saj më e madhe për momentin është të diplomojë në Fakultetin e Mjekësisë me notë më të lartë.

“Dua të bëhem mjeke e mirë e specializuar dhe t’u ndihmoj të plagosurve nga sulmet izraelite ose të sëmurëve që jetojnë në kushte të ngjashme me ato tonat. Gjithashtu, dua ta rindërtoj shtëpinë tonë të rrënuar. Janë ofruar mjaft ndihma materiale për rindërtimin e shtëpisë sonë, por nuk po mund t’i fillojmë punimet për shkak se në rajon nuk ka çimento”, thotë ajo.

Ndërkaq, nënan e Hanan, Hasna, bëri të ditur se kanë qenë të detyruar të ndërrojnë tri shtëpi pas sulmeve dhe se kanë ngelur pa shtëpi.

Ajo theksoi se vajza e saj jo vetëm që është nxjerrë nga gërmadhat, por gjithashtu është shpëtuar edhe një herë më pas nga sulmet e tmerrshme të Izraelit. E ëma Hasna tha se “Hanan ka një natyrë pozitive dhe të palëkundur. Përkundër vështirësive që i kemi përjetuar dhe vazhdojmë t’i përjetojmë, shpresoj që ëndrrat e vajzës sime të realizohen”.

Artikulli paraprakShtin më armë në ajër, plagoset 14 vjeçarja
Artikulli vijuesTiranë, pacienti i dializës vetëdigjet me benzinë (FOTO)